Natën e ndërrimit të viteve, forcat e sigurisë në qytetet kryesore europiane janë vënë në nivelin maksimal të gatishmërisë, pasi i druhen një tjetër sulmi terrorist, si ai i 19 Dhjetorit në Berlin, ku humbën jetën 12 persona dhe u plagosën rreth 50 të tjerë.
Në kryeqytetin gjerman pritet të festojnë 2 milionë turistë. Zyrtarët e policisë berlineze thonë se vetëm pak oficerë do të munden të festojnë ardhjen e 2017. Frika nga një tjetër goditje nën vulën e ISIS është e madhe.
Si kurrë më parë, më shumë se 3 mijë agjentë policie do të jenë në shërbim të armatosur në metronë e Londrës. Urdhëri është dhënë nga Autoriteti i Sigurisë së Transportit në kryeqytetin anglez.
Edhe Italia do të jetë e blinduar natën e ndërrimit të viteve. Ministri i Brendshëm italian, Marco Miniti, lajmëroi se do të përdoren të gjitha masat e nevojshme për të siguruar njerëzit. Në Romë do të vendosen snajpera në pikat kryesore të qytetit.
Në ndihmë të policisë do të vijë edhe teknologjia. Në disa qytete si Firenze e Bolonja do të përdoren dronë, për survejimin e shesheve. Në Milano, Piazza Duomo do të jetë krejtësisht e blinduar, në disa vende janë instaluar detektorë metalesh.
Franca gjithashtu mbetet në gjendej emergjence që zgjat që prej sulmeve terroriste të Nëntorit 2015. Rreth 100 mijë policë dhe ushtarë do të vendosen në Paris për të shmangur sulmet.
Masa të rrepta sigurie janë marrë dhe në Madrid e Bruksel.
Tv Klan