Një shkëmbim zjarri në mes të qytetit të Shkodrës, ka shkaktuar panik tek qytetarët për disa minuta.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 12 e 30, pas “Teatri Migjeni”, në lagjen Vojo Kushi.
Disa të rinj, të cilët po udhëtonin në dy automjete, kanë shkëmbyer zjarr me njëri – tjetrin, teksa makinat ishin në lëvizje.
Në vendngjarje janë gjetur vetëm dy gëzhoja pistolete.
Por dyshohet se ata kanë qëlluar disa herë dhe gëzhojat mund të kenë mbetur në makina.
Deri tani nuk rezulton të ketë persona të lënduar nga të shtënat.
Në Spitalin e Shkodrës, apo qendrat shëndetësore të rrethit apo spitale të qyteteve që kufizojnë Shkodrën, nuk është paraqitur asnjë person i plagosur për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa janë përftuar të dhëna të vlefshme nga dëshmitarët rreth targave të mjeteve. /Tv Klan