Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë, ku një hotel shpërtheu me një sasi tritoli.
Bëhet me dije se është identifikuar, kapur dhe arrestuar autori i vendosjes së eksplozivit në hotel. Bëhet fjalë për S.Ç., 36 vjeç, banues në Sarandë, i akuzuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.
Autoritetet bëjnë me dije se shkaku i ngjarjes ka qenë një proces gjyqësor prej disa vitesh, për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel.
Babai i 36-vjeçarit S.Ç., dhe një shtetas tjetër me inicialet E. Dh., që prej vitit 2002 ishin ne proces gjyqësor dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit E. Dh.
Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al