Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka pritur në një takim zëvendësambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Demian Smith, i shoqëruar nga Shefja e Zyrës së Sigurisë Rajonale në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Karen Riley
Në fokus të takimit ishin vlerësimi dhe forcimi më tej i marrëdhënieve strategjike, mes Policisë së Shtetit, ambasadës amerikane, policisë dhe agjencive ligjzbatuese amerikane.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit njohu zëvendësambasadori e SHBA me prioritetet që ai ka për ristrukturimin e Policisë, në drejtim të forcimit të strukturave të hetimit të krimeve, veçanërisht të hetimit të krimit të organizuar, korrupsionit, hetimit të aseteve kriminale dhe krimeve kibernetike.
Po ashtu dhe pastrimin e Policisë nga punonjësit e inkriminuar, duke aplikuar ndëshkueshmërinë më të rreptë që parashikon ligji për punonjësit e Policisë që abuzojnë me detyrën, që përfshihen në raste korruptive apo në trafiqe të paligjshme, si dhe vendosmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisisht me partnerët, veçanërisht me ata strategjikë, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Ndërkohë, zëvendësambasadori Demian Smith ofroi mbështetje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe e siguroi për ndihmë nga SHBA, për mbrojtje nga sulmet kibernetike./ Opinion.al