Papa Françesku ka thënë se mund të vijë së shpejti koha kur ai duhet të marrë në konsideratë dorëheqjen.
Ai tha se do ta bënte këtë nëse gjendja e tij shëndetësore do të përkeqësohej aq sa nuk do të mund të shërbente më ashtu siç duhet.
Papa Françesku i bëri këto deklarata gjatë vizitës së tij në Kanada, ku fokusi i takimit ishte t’u kërkonte falje indigjenëve të rajonit për gabimet e kryera kundër tyre nga ata brenda Kishës Katolike.
Papa 85-vjeçar theksoi se për momentin ai synon të vazhdojë në detyrat e tij dhe se do të udhëhiqet nga Zoti se kur do të japë dorëheqjen apo nëse do të largohet përfundimisht.
“Nuk është një katastrofë të ndryshosh Papën, nuk është një tabu. Dera për daljen në pension është e hapur dhe është një opsion normal. Por, deri më sot nuk kam trokitur në atë derë. Nuk kam ndjerë nevojën të mendoj për këtë mundësi, por nuk do të thotë se brenda dy ditësh nuk mund të mos filloj të mendoj për të”, u shpreh Papa.
Gjatë muajve të fundit Papa Françesku ka vuajtur probleme të vazhdueshme të gjurit që kanë ndikuar në lëvizshmërinë e tij.
Ai e kaloi pjesën më të madhe të vizitës së tij në Kanada në një karrige me rrota. Por më parë ai ka hedhur poshtë spekulimet për sëmundje më serioze, kërcënuese për jetën.