Sot është dita e fundit e gjendjesë fatkeqësisë natyrore por masat kundër pandemisë do të vijojnë të mbeten në fuqi.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja Ogerta Manastirliu në një video-mesazh.
“Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2. Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë. Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit. Strukturat e Task-Forcës anti-Covid vijojnë të jenë të angazhuar 24/7 në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës.”
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lajmëruar gjithashtu hapjen e spitalit të dytë COVID, një strukturë mbështetëse brenda QSUT (spitali i ish-Kirurgjive) për të përballuar fluksin në rritje të të prekurve me COVID19 që kanë nevojë për trajtim spitalor.
“Kemi përgatitur disa skenarë për trajtimin e të sëmurëve të prekur nga ky virus, sikurse sistemi shëndetësor tashmë i hapur, po vijon me kapacitet të plotë dhe është futur në normalitet prej 1 muaji.
Me plotësimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin në rritje dhe jemi duke rekrutuar stafin mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital. Paralelisht nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive do të rihapim Spitalin COVID 2, pra ish-Sanatoriumin, dhe në skenarin tjetër, në rast se shifrat kapërcejnë këto kapacitete do të kalohet tek spitali karantinë COVID4 në aksin Tiranë-Durrës.”, shtoi ajo. /Opinion.al