Ka nisur në Kuvend seanca e radhës plenare, teksa para Parlamentit janë mbledhur protestuesit që kërkojnë largimin e Qeverisë dhe gjithë klasës politike aktuale.
Deputetët e Partisë Demokratike nuk janë paraqitur në seancë. Edhe disa prej deputetëve demokratë që shkuan në Kuvend, u kthyen sërish në selinë e PD-së. Me mungesën e deputetëve të PD në Kuvend, nuk zhvillohen as interpelancat e kërkuara nga grupi parlamentar. Ina Zhupa kishte kërkuar interpelancë me ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja dhe një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogun, e kërkuar nga Klevis Balliu. Për të dyja rastet, Niko Peleshi u shpreh se deputetët në fjalë konsiderohet se janë tërhequr.
Partia Demokratike njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme plenare, përsa kohë sipas tyre mazhoranca refuzon të përfshijë në rendin e ditës 4 projektligje të propozuara prej tyre, që janë pjesë edhe e kërkesave të protestuesve.
“Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend”, thuhej në deklaratën zyrtare të PD-së.
Katër projektligjet për të cilat bëhet fjalë:
1. Projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
2. Projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;
3. Projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;
4. Projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.















