SHBA ka vendosur sanksione në dy ministri turke dhe tre zyrtarë të lartë të qeverisë në përgjigje të ofensivës ushtarake në veri të Sirisë.
Presidenti Donald Trump telefonoi gjithashtu homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm, tha zëvendës presidenti Majk Penc. Ai shtoi se do të udhëtojë në rajon “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Duke folur para gazetarëve në Uashington të hënën në mbrëmje, Sekretari i Thesarit të SHBA Stivën Mnuçin përshkroi sanksionet si “shumë të forta” dhe se do të kishin një ndikim të fortë në ekonominë turke.
Në deklaratën e thesarit thuhet se janë ndërmarrë veprime kundër ministrive të mbrojtjes dhe energjisë të Turqisë, si dhe ministrave të mbrojtjes, energjisë dhe brendshëm.
“Veprimet e qeverisë turke po rrezikojnë civilë të pafajshëm, dhe destabilizojnë rajonin, përfshirë dëmtimin e fushatës për të mposhtur ISIS [Shteti Islamik]”, thuhet në deklaratë.
Duke u shfaqur përkrah Mnuçin, zëvendës presidenti Penc paralajmëroi se sanksionet “do të vazhdojnë dhe do të përkeqësohen derisa Turqia të pranojë një armëpushim të menjëhershëm, të ndalojë dhunën dhe të pranojë të negociojë një zgjidhje afatgjatë të çështjeve përgjatë kufirit midis Turqisë dhe Sirisë “.
Më herët të hënën, vendet e Bashkimit Evropian u angazhuan të pezullonin eksportet e armëve në Turqi, por nuk vendosën për një embargo armësh të gjerë të BE-së.
Si përgjigje, Turqia tha se do të shqyrtojë bashkëpunimin e saj me BE për shkak të qëndrimit të saj “të paligjshëm dhe të njëanshëm”
Ushtria e Sirisë më herët hyri në disa zona në veri-lindje. Kjo mund të shkaktojë një përplasje me forcat e udhëhequra nga Turqia. Ndërhyrja e ushtrisë siriane pasoi një marrëveshje me forcat e udhëhequra nga kurdët, të cilët deri javën e kaluar ishin aleatë të SHBA.
Turqia thotë se sulmi i saj synon të shtyjë forcat kurde nga rajoni kufitar dhe të vendosë atë që qeveria në Ankara e përshkruan si një “zonë të sigurt”. Me një “zonë të sigurt” që arrin rreth 30 km brenda Sirisë, Turqia dëshiron të rivendosë deri në dy milion refugjatë sirianë aktualisht në territorin e saj.
Shumë prej tyre nuk janë kurdë dhe kritikët paralajmërojnë se kjo mund të çojë në spastrim etnik të popullatës lokale kurde. /Opinion.al