Nga Ergys MERTIRI
Mosarritja e një marrëveshjeje gjatë takimit Rama-Basha, nuk duket se nuk surprizoi njeri. Mënyra sesi është zhvilluar ky proces deri më tani, por edhe përvojat më të hershme të kryeministrit aktual, nuk të japin ndonjë arsye për të besuar. Nuk janë të largëta kujtimet e bisedimeve shterp në restorant Crocodile në Strasburg, madje edhe në praninë e ish-komisionerit për zgjerimin Stefan Fule, të cilit në fund i mbeti vetëm të paguante darkën. Edhe atëherë, kompromisi i vetëm që Rama diti të ofrojë ishte: Bëj si them unë, hap kutitë ose largohu!
Dhe është në natyrën e tij të sillet kështu. Ai mishëron thellësisht profilin e politikanit apolitik, që nuk di të dëgjojë, e për pasojë, nuk mund të merresh vesh. Ai përfaqëson modelin e kokëfortësisë politike dhe aftësisë për t’u imponuar, jo për të negociuar e për të ofruar zgjidhje. Dhe pikërisht ia ka dalë mbanë të marrë gjithmonë atë çfarë do, falë vendosmërisë për ta çuar blofin deri në fund me kërcënimin: o bëhet si them unë, ose ia vë flakën gjithçkaje. Dhe natyrisht që do të vazhdojë të fitojë gjithnjë, nëse të tjerët i përgjigjen me urtësi dhe arsye.
Më zhgënjyes se kushdo në këtë histori nuk janë palët, por pikërisht ndërkombëtarët. Ata vijnë si arbitër, ndërsa sillen më shumë si lojtarë. Të paaftë për të qenë të vendosur në qëndrimet e tyre, ata mundohen t’ia hedhin situatave, duke iu nxjerrë nga një karton të verdhë të dyja palëve. Ata bëhen përherë rrjeta e pingpongut të politikës vendëse. Në fund, fiton gjithmonë ai që bën më shumë faulle. Kemi 25 vjet që dëgjojmë dokrra të tilla, që dënojnë gjithmonë palët, e kurrë fajtorin.
Konkretisht, ata thonë se reforma duhet votuar patjetër, por nuk thonë se cili variant. Ndërkohë, situata bëhet më absurde pasi kërkohet konsensus për diçka që është reduktuar në logjikë bardhezi: Ose do ia lëmë gjyqësorin Ramës, ose jo. Çfarë alternative presim të zgjedhë opozita? Natyrisht që opozita nuk mund t’ia lërë në dorë gjyqësorin qeverisë, ndërsa qeveria nuk mund të tërhiqet nga tundimi për ta shtënë atë në dorë – duke pasur parasysh se kemi një lider të paaftë të përballojë ndarjen e pushteteve dhe presionin e institucioneve të pavarura. Atëherë, çfarë konsensusi kërkohet?
Ndërsa refreni i vetëm i shurdhër i ndërkombëtarëve ka qenë: Të votohet doemos marrëveshja! – në fakt një sërë përfundimesh të ardhura nga Komisioni i Venecias, kanë qenë shuplaka të forta, mbi të gjitha për ta. Duke rrëzuar reformën e Ramës në draftet e para, Komisioni i Venecias na tregoi se po të kishim dëgjuar broçkullat e ndërkombëtarëve, do të kishim sot një Kushtetutë me probleme serioze, që vënë në dyshim themelet e demokracisë. Kush paguan për koston e gjithë kësaj? Natyrisht, ndërkombëtarët jo. Shumë-shumë ata do të detyrohen të paguajnë darka të tjera bisedimesh të dështuara, në krokodilët e Strasburgut, për ngërçet politike të radhës, të ardhura edhe si pasojë e kësaj reforme. Asgjë më shumë.
Ndërkohë që politika është e sunduar nga banda e kriminelë, ndërkombëtarët na shurdhojnë me një reformë, që asgjë nuk do t’i sjellë vendit (në skenarin më të mirë të mundshëm). Nëse qeveria zgjedh përdhunues dhe trafikantë për deputetë e kryetarë bashkish, çfarë e pengon ta bëjë këtë edhe në drejtësi?
Pavarësia e gjyqësorit është një themel i panegociueshëm i çdo kushtetute demokratike, edhe kur qeveritë janë të shkëlqyera, lëre më kur qeverisin mafiozë e kriminelë, si sot në Shqipëri. Është absurde se si, ndërkohë që gjatë këtyre ditëve vëmendja e qytetarëve ka qenë e përqendruar te krimet e kryebashkiakëve që dorëhiqen e dorëvihen në bazë të lavjerrësit të daljes dhe fshehjes së fakteve, na kërkohet që t’i besojmë qeverisë hartimin e një reforme që, do na shpëtoka vendin nga korruptueshmëria e gjykatave! Kush e beson këtë?
Në fakt, të huajt janë edhe vetë në presion. Dështimi i vazhdueshëm i politikave të tyre, jo vetëm në Shqipëri, por thuajse kudo në bllokun lindor, të cilat kanë çuar në rritjen e euroskeptizmit dhe madje shpesh edhe në refuzim ndaj BE-së, i vendos ata përballë presionit për të krijuar disa suksese, qoftë edhe të trukuara. Aktorët ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces, as që e çajnë kokën për efektet reale të kësaj reforme, boll që të krijojnë imazhin e një arritjeje, me të cilën mund të bindin edhe shefat e tyre, se kanë punuar mirë. Kjo është edhe arsyeja përse na imponojnë me kaq ngulm një axhendë, që nuk ka përse bëhet me kaq ngut, e kaq tension. Si gjithmonë, kërkohen “suksese” afatshkurtra, si hapa të radhës të një dështimi të madh.