Prokuroria e Përgjithshme do të marrë në hetim Elvis Rroshin, tashmë ish kryetar i Bashkisë Kavajë. Akuzat e Prokurorisë ndaj Rroshit lidhen me procesin e vetdëklarimit të formularit të dekriminalizimit, ku sipas organit të akuzës. Rroshi nuk ka vendosur dënimin që ka marrë në Itali në vitin 1995, ku është dënuar për dy vepra penale, atë të përdhunimit dhe rrahjes. Prokuroria thotë në njoftimin e saj se ka nisur verfikimi i të dhënave të deklaruara nga subjekti Elvis Rroshi, për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Struktura “Për Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimin dhe është regjistruar kryesisht hetimi për kryetarin e dorëhequr të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “Fallsifikimit të dokumentave” në procesin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”,
Sektori i posaçëm në Prokurorinë e Përgjithshme nisi verifikimin, në bazë të të dhënave të vetëdeklaruara nga subjekti Rroshi në formularin e publikuar tashmë, si edhe në sqarimin publik të bërë nga vetë subjekti, lidhur me shkaqet e dorëheqjes së tij. Në këto kushte, u urdhërua nisja e hetimit për veprën penale të “Fallsifikimit të dokumentave”. Në bazë të verifikimeve paraprake, Struktura “Për dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme konstaton se subjekti Elvis Rroshi nuk ka shënuar në formularin e vetëdeklarimit dënimin e dhënë nga autoritetet italiane disa vite më parë. Fakti që ka qenë i dënuar nga autoritetet italiane, është pranuar publikisht edhe nga vetë subjekti.