Trajneri i ekipit kombëtar të Francës, Didier Deschamps ka bërë të ditur listën e 24 lojtarëve që do të përbëjnë ekipin e “gjelave” në finalet e Euro 2016-s. Fakti që kjo veprimtari do të zhvillohet në Francë, është një faktor ekstra për ekipin e Deschamps-it në këtë veprimtari, e cila për herë të parë do të përfshijë 24 ekipe pjesëmarrëse. Franca është një ndër tri ekipet ndaj të cilave do të luajë edhe Kombëtarja Shqiptare e Futbollit. Në dy ndeshjet miqësore të zhvilluara gjatë eliminatoreve të EURO 2016-s, kuqezinjtë arritën të merrnin një barazim dhe një fitore ndaj ekipit të “gjelave”.
Hugo Lloris, Raphael Varane, Paul Pogba, N’Golo Kante, Blaise Matuidi, Antoine Griezmann, Anthony Martial, Kingsley Coman janë disa nga emrat e talenteve që bëjnë pjesë në ekipin kombëtar të Francës. Sigurisht Karim Benzema do të mungojë për shkak të skandaleve të shantazhit ndaj bashkëkombësit të tij, francezin Mathieu Valbuena. Hatem ben Arfa është një prej lojtarëve të pafat, pasi u la jashtë listës nga Deschamps, pavarësisht faktit që luajti rregullisht në ndeshjet e mëparshme. Forma që po kalon Dimitry Payet gjatë këtij sezoni bëri që Ben Harfa të lihet në listën e rezervave.