Policia ka siguruar të tjera pamje nga një tjetër kamer sigurie pas konstatimit se kamera mbi lokalin ku u krye masakra e Elbasanit ishte dëmtuar.
Panorama Online raporton se bëhet fjalë për një kamer sigurie që ishte e vendosur në një shtyllë në krah të lokalit, e cila nuk është pikasur nga atentatorët. Pamjet filmike të kamerës në shtyllë janë marrë nga Policia. Por çfarë kanë filmuar ato? Sipas të dhënave, nga pamjet filmike shihet se dy automjetet e atentatorëve kanë mbërritur me drita të fikura para lokalit.
Në zonë mbizotëronte errësira, ndaj nuk janë filmuar qartë atentatorët. Nga pamjet dallohen se ata ishin të veshur me kamuflazh, por nuk dallohet nëse ishin gjuetie apo policie. Gjithashtu, kamerat kanë filmuar edhe momentin e sulmit. Mënyra se si lëviznin atentatorët krijon idenë se ata kishin dijeni dhe e njihnin mjaft mirë zonën. Kamera e lokalit u dëmtua nga mitralozi Kamera që mendohej se do të jepte pamjet filmike, të cilat do të çonin në zbulimin e autorëve të Masakrës së Elbasanit është dëmtuar nga plumbat e mitralozit.
Burime nga Policia thonë për “Panoramën” se katër atentatorët kanë qëlluar qëllimisht mbi kamerën e sigurisë mbi lokal për ta dëmtuar atë.
Ekspertët e kriminalistikës, deri më tani, e kanë patur të pamundur të marrin pamjet filmike nga kamera në fjalë, pasi plumbat e mitralozit kanë goditur serverin e saj. Kjo e bën akoma më të vështirë zbardhjen e plotë të dinamikës së sulmit që u mori jetën tre personave dhe që plagosi shtatë të tjerë.
Marrë nga Panorama Online
Në foto kamera e dytë që filmoi ngjarjen