Kombëtarja shqiptare zhvilloi paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit” seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Anglisë.
Skuadra zhvilloi një seancë të plotë stërvitore, që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli u stërvitën të diferencuar, por të dy futbollistët do të udhëtojnë me skuadrën drejt Londrës dhe deri në fund do të vlerësohet gjendja e tyre për ndeshjen me Anglinë.
Stërvitja, në minutat e para u fokusua te përgatitja atletike, ndërsa më pas u fokusua te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës, duke provuar edhe goditjet në portë.
Pas stërvitjes, Kombëtarja u kthye në hotel dhe më pas do të niset drejt aeroportit “Nënë Tereza”, nga ku do të udhëtojë drejt Londrës.
Ndeshja me Anglinë do të luhet të premten më 21 mars, në orën 20:45 në stadiumin “Wembley”.
Sakaq, pasditen e nesërme në orën 18:15, trajneri Silvinjo dhe një nga lojtarët e skuadrës do të dalin në konferencën zyrtare për media nga stadiumi i “Wembley” për të folur për këtë ndeshje të rëndësishme.
Më pas, po në stadiumin “Wembley”, skuadra do të mbyllë përgatitjet për takimin e parë në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Anglisë.