Fëmijë që nuk flasin ende mund të shfaqin edhe tensione apo sjellje agresive ndaj të tjerëve apo vetes.
Erges Eskiu, logopedi i ftuar në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, shpjegon se fëmijët që zhvillojnë gjuhën me vonesë, duke mos u kuptuar nga prindi apo të tjerët, grumbullojnë tension që duan ta shkarkojnë diku.
Sërish, çelësi mbetet te komunikimi i prindit ndërsa logopedi këshillon si duhet të veprojnë në këto raste.
Erges Eskiu: Duhet të bëhet mobilizimi pasiv. Ne i japim alternativë fjalën, komunikimin dhe ndërkohë kur fëmija shfaq sjellje agresive, mobilizohet për një minutë, në 10 sekondat e fundit i shpjegohet fëmijës që unë do të të lëshoj pas pak por ti nuk do ta bësh sërish këtë sjellje. Nëse do ta bësh, do të të mobilizoj prapë, nuk ka nevojë për ta ofenduar, nuk ka nevojë për dhunë, vetëm për mobilizim dhe asgjë tjetër që ai të fillojë të kuptojë që komunikimi është çelësi për të zgjidhur çdo gjë dhe jo dhuna.
Mjeku shton se duhet treguar kujdes edhe me gjuhën e përdorur ndaj fëmijës, epitetet ndaj tij sepse cenojnë vetëbesimin, ndonëse kjo s’ndikon domosdoshmërisht te e folura. Çrregullimet e të folurit mund të lidhen me probleme fizike apo psikologjike.
Erges Eskiu: Mund të ndodhë që të kemi një lindje normale, por që në një fraksion sekondi të mos oksigjenohet truri dhe të kemi një paralizë cerebrale infantiile, pra mund të kemi hipotomi totale muskulore dhe fëmija edhe pse mund të shkojë 2 apo 3 vjeç, ende s’i ka marrë këmbët sepse e ka muskulaturën e dobët, ka të vjella nga goja ose dalin jargë, gjuha është e dobët, muskulatura e gjuhës, e gojës është e dobët dhe nuk ka mundësi të prodhojë fjalë. Ndonjëherë edhe procesi i frymëmarrjes-frymënxjerrjes nuk është në nivelin e duhur për të prodhuar zë dhe për të folur normalisht, këto kanë nevojë për fizioterapi që në fillim dhe logopedi në moshë më të hershme.
Spektri i autizmit mund të jetë gjithashtu një faktor, por prindërit nuk duhet të panikosen. Problemet e të folurit nuk lidhen domosdoshmërisht me autizmin sepse ai karakterizohet nga sjellje tipike.
Erges Eskiu: Edhe spektri i autizmit jep problem në të folur, por jo çdo problem në të folur lidhet me autizmin.
Aldo: Mos të tremben prindërit që dëgjojnë tani.
Erges Eskiu: Jo, nuk kanë pse tremben prindërit. Në qoftë se fëmija juaj ka probleme në të folur por nuk shfaq sjellje tipike, nuk bën një veprim të përsëritur në kohë, fëmija juaj nuk ka problem socializimi, pra e pranon kontaktin fizik, luan dhe qesh me shokët dhe shoqet, do të thotë që nuk ka asnjë problem me spektrin autik, thjesht do nxitje për të folur. Nëse fëmija është me një fjalë, prindi do të duhet të duhet të fusë një fjalë të dytë. Nëse fëmija kërkon me gisht “ujë, ujë”, nëna duhet t’i thotë “dua ujë” ose “mami ujë”. Do të thoja edhe një gjë, ndotja e mjedisit ka sjellë një rritje të autizmit ose është vënë re që ka një lidhje mes ndotjes së mjedisit dhe autizmit. Në zonat urbane, çrregullimet e spektrit autik janë më të larta. Në nivel global, 1 në 100 fëmijë është me autizëm, ndërsa në Amerikë kjo shkon 1 në 36. Ndotja e mjedisit nitrogjeni, bakri, kimikatet të cilat përdoren në zbutjen e plastikës, mund të japin dëmtim të metabolizmit qelizor, dëmtim të sistemit nervor dhe kanë bërë që të rritet spektri autik./tvklan