Bota

Zelensky: Mbi 6 milionë ukrainas pa energji elektrike



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:22 - 26/11/22 |
Opi Nion

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky,  ka deklaruar se gjashtë milionë familje ukrainase janë ende pa energji elektrike, pas sulmeve masive me raketa që goditën vendin këtë javë.

“Që nga kjo mbrëmje, ndërprerjet e energjisë vazhdojnë në shumicën e rajoneve dhe në Kiev”, tha Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës.

Miliona njerëz kanë mbetur pa drita, ujë apo ngrohje me fillimin e dimrit.

Duke folur në një fjalim video, Presidenti Zelensky tha se kryeqyteti dhe rajoni përreth tij janë ndër më të prekurit nga sulmet. Ai tha se shumë banorë në qytet kanë qenë pa energji “për 20 apo edhe 30 orë”.

Ai tha se zona të tjera ndër më të prekurat janë rajonet e Odesës, në jug, Lviv në perëndim, si dhe Vinnytsia dhe Dnipropetrovsk.

Presidenti Zelensky u bëri thirrje të gjithëve që të përdorin pajisjet që përdorin energjinë me kursim: “Nëse nuk keni ndërprerje të energjisë, kjo nuk do të thotë se problemi ka mbaruar. Ju lutem, nëse keni energji elektrike, kjo nuk do të thotë se mund të ndizni disa pajisje elektrike të fuqishme në të njëjtën kohë.”

“Duhet të durojmë këtë dimër, një dimër që do ta kujtojnë të gjithë”, tha ai.

Kryeministri Denys Shmyhal tha se pavarësisht sulmeve, pothuajse e gjithë infrastruktura kritike e vendit është rilidhur – duke përfshirë shërbimet e ujit, impiantet e prodhimit të nxehtësisë, spitalet dhe shërbimet e urgjencës.

Por njerëzit e zakonshëm vazhdojnë të përballen me ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në çdo rajon të Ukrainës, tha ai.

Ekziston frika se shënjestrimi i infrastrukturës ukrainase nga Rusia, së bashku me borën dhe temperaturat nën zero, mund të shkaktojë një krizë shëndetësore në vend./Opinion.al

Pas