Politikë

Rama-Albin Kurtit: Shiko kush e pengoi bashkimin doganor


               Publikuar në : 17:00 - 12/11/19 |
Opi Nion

Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me “Shengenin Ballkanik”, ndërsa theksoi se duhet hequr kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjatë një interviste për “Top Channel”, Rama kritikoi disa nga qëndrimet e kryeministri të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtit, i cili sipas tij, më herët duhet që ata të konsultohen.

Kryeministri tha se Kurti duhet të shikojë dosjen e bashkimit doganor Shqipëri-Kosovë se përse asnjëherë nuk u bë realitet.

Intervista e kryeministrit Edi Rama

Kryeministër faleminderit për këtë intervistë! Do doja t’ju pyesja fillimisht, çfarë tjetër prodhoi takimi i Ohrit, përveç të treguarit se ju, Kryeministri Zaev, Presidenti Vuçiç, jeni në një gjatësi vale me njëri-tjetrin përsa i përket këtij projekti?

Kryeministri Edi Rama: Takimi i Ohrit ka qenë vijimi i atij të Novisadit dhe i ka paraprirë takimit të Durrësit, për të nxitur dhe mundësuar zbatimin e gjërave për të cilat jemi dakordësuar më parë, për 5 vite rresht, me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zoti Kryeministër, kjo iniciativë, a është konsultuar me Kosovën, pasi kemi parë një deklaratë të Zotit Albin Kurti, i cili thotë se kjo iniciativë është e nxituar dhe e pa konsultuar. Si qëndron e vërteta?

Kryeministri Edi Rama: E nxituar?! Ka 5 vjet kjo iniciativë dhe marrja përsipër e nismës mes të tre vendeve për ta shtyrë iniciativën përpara, duke mos shtuar asgjë tjetër të re nga dokumentet përmbajtësor të iniciativës, përveç lëvizjes së lirë të njerëzve që ka qenë një betejë e gjatë e imja me Presidentin e Serbisë dhe ku më në fund, ai është dakordësuar, gjë që na jep mundësinë të heqim kufirin me Kosovën. Nuk ka absolutisht asgjë tjetër, pra, çfarë nxitimi ka këtu?

Përsa i përket konsultimit në 5 vjet rresht, Kosova ka qenë e pranishme në tryezë. Në 5 vjet rresht, kryeministrat dhe Presidenti i Kosovës janë shprehur dakord me gjithçka që sot, ne duam të implementojmë, të zbatojmë, të konkretizojmë, jo për vete, por për njerëzit tanë. Besoj që, nëse ka vend për fjalën konsultë këtu, konsultohet ai që merr përsipër, ose vendos të mos vijë, jo ai që do shkojë, siç të gjithë kanë shkuar. Pra, nëse në një moment të caktuar, dikush vendos që “unë nuk do shkoj”, atëherë merr në telefon dhe thotë “unë nuk do shkoj”, tregon arsyet dhe nëse arsyet janë bindëse, atëherë sigurisht që JO-ja mund të bëhet e përbashkët. Nëse nuk janë bindëse, ai që thotë JO, rri me JO-në, ai që thotë PO, vazhdon me PO-në.

Zoti Kryeministër, kanë kaluar dy ditë nga Samiti i Ohrit, a keni pasur kontakt si me Presidentin Thaçi, ashtu dhe me Kryeministrin e ardhshëm Albin Kurti, për t’ia shpjeguar atë çfarë ndodhi në Ohër?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam pasur sepse nuk mendoj se për të dy miqtë dhe kolegët, nëse mund t’i quaj kështu, nuk ka asgjë për të shpjeguar. Ata e dinë shumë mirë për çfarë bëhet fjalë dhe e dinë shumë mirë edhe të gjithë arsyetimin tim. Albinit ia kam arsyetuar gjerë e gjatë Pse-në e rëndësisë madhore të këtij procesi. Tani, nëse ai nuk e kupton, do çuditesha shumë, sepse është mjaftueshëm inteligjent. Nëse bën sikur nuk e kupton, apo nuk do ta kuptojë, pastaj kjo është zgjedhja e tij. Por duket si politikë e jashtme, në raport me Shqipërinë, për punë të brendshme dhe nuk besoj që kjo është më e mira. Megjithatë do kemi kohë dhe mundësi të tjera për t’i diskutuar dhe për t’i thelluar diskutimet.

Shpresoni që në takimin e ardhshëm të 21 dhjetorit në Durrës, në tavolinë do të jetë edhe Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti?

Kryeministri Edi Rama: Ai do të jetë absolutisht i ftuar, nëse do të jetë i betuar dhe do të jetë në detyrë. Padiskutim, sepse ne kemi qenë më parë dhe në Durrës dhe kujtoj që kemi qenë gjithë sëbashku, Kryeministri i Kosovës, Kryeministrja e Serbisë dhe nuk më rezulton që në atë kohë, Serbia e kishte njohur Kosovën dhe papritur tërhoqi njohjen dhe tani, Kosova duhet të iki nga tryeza, meqë Serbia nuk njeh Kosovën. Ka qenë një kohë mbas luftës, kur Kosovën nuk e pranonin nëpër tavolina, sepse nuk donte Serbia dhe Kosova bëri luftë për t’u ulur në tavolinë. Të ikësh nga tavolina, mbase ka arsye që unë nuk i di dhe jam i gatshëm t’i dëgjoj dhe nëse janë bindëse, jam shumë Ok që të dakordësohem. Por më duket vërtetë politikë e jashtme me Shqipërinë për punë të brendshme në Kosovë.

Albin Kurti është i mendimit që Shqipëria fillimisht duhet të heqë kufijtë me Kosovën dhe më pas të shikojë në një tablo më të madhe rajonale për këtë proces. A është i drejtë ky qëndrim?

Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të them që është i shtrembër, dua të them që do drejtohet kur Albin Kurti të bëhet kryeministër me orë të plota dhe të jetë më i vëmendshëm për këtë proces. Sepse nga njëra anë, kufiri nuk hiqet përveçse me këtë mënyrë me marrëveshje me të tjerët. Si e heq kufirin Albin Kurti, nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi, apo do hapi luftë?! E kush, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian apo Kuba do japin pëlqimin për heqjen e kufirit pa marrëveshje me gjithë të tjerët?! Do të ishte vetëm një marrëzi. Aq më tepër që ne e kemi parë, jo duke hequr, por duke thënë se do hiqet, kemi ndezur gjithë llambat e kuqe dhe është ngritur alarm gjithandej.

Ndërsa përsa i përket asaj që duhet të bërë një herë me Kosovën, të gjitha pikat që ne kemi në këtë nismë janë pika që duhet të ishin bërë me Kosovën, përveç kësaj të lëvizjes së lirë që tani është e mundur, më parë ishte e pamundur.

Pse nuk janë bërë, le të hapi letrat Albini e të shikojë dosjet, të shikojë protokollet dhe ta fillojë nga dosja e Bashkimit Doganor që Shqipëria e miratoi nën drejtimin e ministrit tonë të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj është bërë goxha punë me palën kosovare dhe në momentin e fundit pala kosovare tha JO në qeverinë e Isa Mustafës. Erdhi Ramush Haradinaj në Tiranë dhe tha këtë do ta bëjmë të parën dhe më pas tha se dëgjo ashtu është puna, do shohim më vonë. Unë nuk po e fajësoj, thjeshtë po them që predikimet janë të nevojshme për politikë, por faktet janë të domosdoshme kur bëhesh kryeministër.

Zoti Kryeministër, Albin Kurti thotë se politika e jashtme e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të jetë e unifikuar. A pajtoheni me këtë qëndrim?

Kryeministri Edi Rama: Ky nuk është qëndrimi i Albin Kurtit. Kjo është një aksiomë që e ka karakterizuar politikën e jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, denbabaden. E unifikuar ka qenë politika e jashtme e Shqipërisë dhe Kosovës dhe nuk e di për çfarë bëhet fjalë, mbase duhet shpjeguar që politika është strategji dhe taktikë. Përshembull, meqë ra fjala më parë për konsultimin apo për unifikimin. Unë nuk jam pyetur dhe s’kisha pse të pyetesha për vendosjen e tarifës 100%. As nuk kam thënë është e pakonsultuar, as nuk kam thënë pse nuk më pyetët mua, por e kam mbështetur fuqimisht. Ama e kam mbështetur si një veprim që duhet të prodhonte rezultat politik dhe jo si një tarifë ekonomike. E kam thënë që ditën e parë, ky është një vendim politik, është një veprim politik, është një qasje brutale për gjithë ata që e shohin si politikë ekonomike, por tërësisht legjitime për atë që është në të vërtetë. Është politikë e jashtme.

Ama, kur erdhi puna që tarifa u kthye në mjet të politikës së brendshme, e rrethoi Kosovën me zhgënjim dhe deri me mospërfillje nga partnerët strategjikë të Kosovës dhe nuk u përdor si një mekanizëm, kur i erdhi momenti të përdorej si mekanizëm, për të hequr vizat për Kosovën. Atëherë pa diskutim që kjo u kthye nga një vënie e pasqyrës përpara botës për një shqetësim të madh të Kosovës, në një litar në këmbët e Kosovës.

-Jam i sigurt zoti kryeministër se ju jeni njohur me lajmin që Vetëvendosja ka hapur një degë të saj edhe në Tiranë. Madje është paralajmëruar dhe një protestë, një marshim në 28 nëntor me tematikë bashkimin kombëtar. Si e shikoni prezencën e Vetëvendosjes në Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë parafytyroni një moment, jo ju, po ta përfytyrojnë qytetarët e Kosovës që një degë e Partisë Socialiste natyrisht me miratim nga kryesia dhe nga unë të bëjë protestë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe të thotë “nuk është koha për të festuar është koha për të reflektuar” dhe të bëjë një fletë-rrufe që duket sikur është nxjerrë nga printerat e opozitës me qeverinë e Kosovës, çfarë do të mendonin njerëzit në Kosovë? Çfarë do të ishte kjo, në raport me pretendimin për politikë të jashtme të unifikuar dhe për strategji të përbashkët dhe për bashkëpunim? Megjithatë unë e konsideroj një lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje, në një vakum ku kam qenë dhe vetë dhe e kam shumë mirë parasysh, duhet një farë kohe për të bërë kryeministrin sepse kryeministër zgjidhesh ditën kur të votojnë, por fillon dhe bëhesh jo menjëherë pasi ke hyrë në zyrë.

-Matthew Palmer i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, iniciativës së Shengenit ballkanik i dha pëlqimin e Shteteve të Bashkuara po Bashkimi Europian a e mbështet idenë e kësaj iniciative tuajën?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni këtu, Shengeni ballkanik ka qenë dhe dua ta them sepse është historia, një term që për herë të parë e ka përdorur Fatos Nano, kuptohet në një kohë kur u mor si një çmenduri dhe kur mund të konsiderohej jashtë komplet kontekstit të kohës. Kur unë kam folur për Shengenin ballkanik në fillim kam ngritur gjithë valët e shqetësimeve dhe gjithë zërat kundër, nga Beogradi deri në Bruksel dhe deri në Ëashington dhe ato që janë dëgjuar në publik janë shumë më pak se ato që kam dëgjuar unë drejtpërdrejt nga Bruskeli dhe Ëashingtoni, edhe nga partnerët e tjerë sepse shikohej si një provokim për të hapur kufirin me Kosovën.

Tani nuk ka askush kundërshtim që të flitet dhe për këtë. Ju thashë dhe presidenti i Serbisë e ka hedhur hapin e madh dhe të vështirë, në raport me të dhe e ka hequr veton për kufirin për lëvizjen e njerëzve. Tani këta e duan ta heqin atë kufi apo jo? Apo do vazhdojnë ta heqin duke e thënë dhe duke mos e hequr? Apo do ta heqin me valle shpatash? Unë do heq kufirin e Shqipërisë me Kosovën dhe do i jap mundësi shqiptarëve nga dy anët e kufirit që kur të kalojnë Morinën t’ju duket sikur shkojnë nga Prishtina në Gjakovë apo nga Lezha në Durrës, të mos shikojnë aty asgjë dhe mos të rrinë të presin me kilometra e kilometra të tëra. Kjo është shumë e thjeshtë. Nëse do të merremi me përmbajtjen, gjithë përmbajtja e kësaj nisme bazohet jo vetëm në dakordësi, por dhe në interesin e njerëzve të zakonshëm të të gjitha vendeve.

Nëse do përdorim simbolet, mitet dhe do të ushqejmë ata që janë të gatshëm që menjëherë të bëhen patriotë në facebook duke ju thënë si u takuam, kush u takua, pse u takuan dhe duke thënë të gjitha arsyet e gabuara, kjo është përsëri të bësh politikë të jashtme për politikë të brendshme dhe ta bësh politikën e brendshme pre të historive që nuk çojnë asgjëkund. Kjo është mendoj unë.

Sa për bashkimin kombëtar, bashkimi kombëtar sipas meje vjen ashtu siç e kam thënë dhe vjen vetëm përmes integrimit të rajonit, të rajonit me BE-në, të vendeve tona me BE-në dhe të përfshirjes të një familje të madhe europiane dhe jo si një akt apo si një çuarje përpara e një procesi që bëhet gjithmonë e më dritëshkurtër dhe gjithmonë e më i vjetër dhe gjithmonë e më i kotë. Shqiptarët duhet dhe do të bashkohen si pjesë e proceseve që do të na bashkojnë të gjithëve me njëri-tjetrin si njerëz dhe si qytetarë të këtij kontinenti. Rrugë tjetër nuk ka, nëse duam që ndërkohë njerëzit të rrisin ekonominë e tyre, njerëzit t’i paguajmë shumë më mirë, falë rritjes ekonomike, kushtet për të gjitha shërbimet të përmirësohen duke pasur mundësi të investojmë më shumë. Këto janë gjërat për të cilat unë do ta shtyj këtë nisëm përpara me gjithë fuqinë time dhe këto janë gjërat për të cilat jam i bindur që të gjitha vendet kush më shpejt, kush më vonë, por jo me vite, me muaj do t’i bashkohen kësaj nisme./Opinion.al

Pas