Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka publikuar të dhëna mbi ecurinë e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, duke vlerësuar se sektori i turizmit vijon të jetë në territor pozitiv, por me një ngadalësim të ritmit të rritjes gjatë muajit qershor.
Sipas shifrave të paraqitura në postimin e ministrit, në qershor 2026 Shqipëria regjistroi 1,346,279 vizitorë të huaj, krahasuar me 1,329,204 në qershor 2025. Diferenca është 17,075 vizitorë më shumë, ose një rritje prej rreth 1.28%.
Për periudhën janar–qershor 2026, sipas të dhënave të publikuara nga Gonxhja, vendi regjistroi 5,059,069 vizitorë të huaj, nga 4,761,648 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përbën një rritje prej 297,421 vizitorësh, ose 6.25%.
Postimi i Blendi Gonxhes
Ashtu siç kemi paralajmëruar, ekonomia e turizmit paguan situatën!
Shqipëria mbetet në territor pozitiv sa u takon hyrjeve të shtetasve të huaj, por të dhënat e qershorit tregojnë një ngadalësim të qartë të ritmit të rritjes.
Në qershor 2026, vendi regjistroi 1,346,279 vizitorë të huaj, krahasuar me 1,329,204 në qershor 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej vetëm 17,075 vizitorësh, ose +1.28%. -1,223% më pak krahasuar me rritjen e muajit maj 2026 ose 12.2 herë më e ulët si rritje, dhe -638% më pak krahasuar me trendin e rritjes në 5-mujorin janar-maj 2026 ose 6.3 herë më e ulët si rritje!
Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, u regjistruan 5,059,069 vizitorë të huaj, krahasuar me 4,761,648 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja totale është 297,421 vizitorë, ose +6.25%.
Megjithatë, deri në muajin maj, rritja ishte +8.2%. Me përfshirjen e të dhënave të qershorit, ritmi i rritjes zbret në +6.25%, çka nënkupton një ngadalësim prej rreth -24% të dinamikës së rritjes.
Ky sinjal bëhet edhe më i qartë kur analizohen disa nga tregjet kryesore. Në qershor 2026, krahasuar me qershorin 2025, u regjistrua rënie e numrit të vizitorëve nga:
Kosova: 51,190 vizitorë më pak
Maqedonia: 15,223 vizitorë më pak
Gjermania: 13,165 vizitorë më pak
Turqia: 11,062 vizitorë më pak
Mali i Zi: 6,212 vizitorë më pak
Vetëm këto pesë tregje, të marra së bashku, sollën 96,852 vizitorë më pak, ose -13.00% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Në një sektor si turizmi, perceptimi i sigurisë, normalitetit dhe stabilitetit është vendimtar. Klima e krijuar nga protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i përcjellë në tregjet e huaja kanë rritur pasigurinë dhe kanë ndikuar në vendimmarrjen e vizitorëve, grupeve turistike dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sinjalizimet nga operatorët turistikë, hotelierët dhe agjencitë e udhëtimit konfirmojnë shqetësimet për ngadalësimin e rezervimeve, anulimet dhe hezitimin nga tregjet e huaja.
Turizmi nuk është vetëm statistikë. Është ekonomi reale, vende pune, të ardhura për familjet dhe imazh kombëtar.
Prandaj, është thelbësore për të gjithë të mbrojmë industrinë turistike nga çdo axhendë destabilizuese e konfliktuale!














