Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka vendosur të mos jetë i pranishëm në stadium për finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës (19 korrik, 21:00), duke zgjedhur të mos ndryshojë rutinën që, sipas tij, i ka sjellë fat kombëtares gjatë gjithë turneut.
Kreu i shtetit argjentinas i ka ndjekur të shtatë ndeshjet e ‘Albicelestes’ nga rezidenca presidenciale në Olivos dhe ka konfirmuar se do të veprojë njësoj edhe në finalen e madhe. “Do të vazhdoj t’i shoh të gjitha ndeshjet nga Olivos”, deklaroi Milei, duke hequr dorë nga mundësia për ta ndjekur sfidën në stadium përkrah presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Milei zbuloi edhe një nga besëtytnitë e tij gjatë këtij Botërori. Ai tregoi se ka veshur të njëjtën xhaketë në çdo ndeshje të Argjentinës, pasi në momentin që e hoqi gjatë sfidës ndaj Zvicrës, kundërshtarët arritën të shënonin gol.
Besëtytnitë janë pjesë e traditës së futbollit në Argjentinë dhe njihen si “cábalas”. Tifozët, por edhe figura publike, shpesh ruajnë të njëjtat rituale gjatë gjithë turneut, me bindjen se ato ndikojnë në fatin e ekipit.
Vendimi i Mileit lidhet edhe me një precedent historik. Që prej Botërorit të vitit 1990, shumë presidentë argjentinas kanë shmangur praninë në ndeshjet vendimtare të kombëtares. Kjo traditë lindi pasi vizita e presidentit të atëhershëm Carlos Menem para humbjes ndaj Kamerunit u konsiderua nga tifozët si ogur i keq, duke i vendosur atij etiketën “mufa”, një term që në Argjentinë përdoret për personat që besohet se sjellin ters.














