Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar Kanadanë me vendosjen e tarifave të reja, duke e akuzuar për “neglizhencë të qëllimshme” në menaxhimin e zjarreve masive në pyje, të cilat kanë përhapur tym të dendur mbi shumë qytete amerikane.
Në një reagim të publikuar në platformën Truth Social, Trump deklaroi se SHBA-ja po përballet me ajër të ndotur dhe të rrezikshëm për shëndetin si pasojë e zjarreve në Kanada. Ai tha se do të kërkojë shpjegime nga kryeministri kanadez, Mark Carney, duke pretenduar se autoritetet kanadeze nuk kanë menaxhuar siç duhet pyjet dhe zonat e rrezikuara nga zjarret.
Sipas Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret në Natyrë, në Kanada janë aktive rreth 888 vatra zjarri, ndërsa mbi 190 prej tyre ndodhen në provincën e Ontarios, ku shumë vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit.
Komentet e Trump vijnë në një kohë kur disa ligjvënës republikanë kanë kritikuar Kanadanë për mënyrën e menaxhimit të situatës, duke kërkuar masa më të forta për parandalimin e zjarreve. Disa prej tyre kanë paralajmëruar se SHBA mund të shqyrtojë edhe përfshirjen e drejtpërdrejtë në operacionet ndërkufitare për shuarjen e flakëve.
Nga ana tjetër, qeveria kanadeze ka theksuar se të dy vendet vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë në përballimin e emergjencave. Ministrja e Menaxhimit të Emergjencave, Eleanor Olszewski, deklaroi se Kanadaja ka investuar miliarda dollarë në mbrojtjen e pyjeve dhe se zjarret janë një sfidë që nuk njeh kufij shtetërorë.
Ekspertët e klimës dhe zjarreve pyjore theksojnë se fenomeni është shumë më kompleks sesa pretendimet politike. Sipas tyre, tymi përhapet nga erërat dhe prek të dy vendet, ndërsa kushtet ekstreme të motit, temperaturat e larta, thatësira dhe ndryshimet klimatike kanë ndikuar në përhapjen e zjarreve. Shumë prej tyre janë shkaktuar edhe nga rrufetë në zonat e largëta pyjore.
Ndërkohë, cilësia e ajrit është përkeqësuar ndjeshëm në disa shtete amerikane, përfshirë Michiganin, Illinoisin, Pensilvaninë dhe Nju Jorkun, ku autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për ndotje të rrezikshme dhe kanë anuluar një sërë aktivitetesh në natyrë.
















