Politikë

Mirela Kumbaro: Deklarata e Ilir Metës më la pa frymë


               Publikuar në : 15:06 - 24/05/19 |
geliano fataj

Ish-ministrja Mirela Kumbaro ka komentuar deklaratën e Presidentit Ilir Meta për një shtyrje të mundshme të zgjedhjeve.

Në një intervistë televizive ajo tha se ishte diçka që “e la pa frymë” dhe që është “antikushtetuese, sepse Kushtetuta e përcakton qartësisht afatin e mandateve”.

Ish ministrja e Kulturës dëshiron të ndajë konceptin e vullnetit politik nga kushtetutshmëria, duke nënvizuar se “Kushtetuta nuk është as e presidentit, as e kryeministrit”.

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot i gatshëm që të rishikojë dekretin, me anë të të cilit ai ka caktuar datën 30 Qershor si ditën për mbajtjen e zgjedhjeve vendore dhe “të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”.

Qëndrimi i Kreut të Shtetit pason deklaratën e një dite më parë për zhvillimet në Shqipëri të dy deputetëve gjermanë Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit kryesore parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe Christian Schmidt, CSU, relatori për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të parlamentit gjerman.

Wadephul dhe Schmidt u shprehën të gatshëm të ndërmjetësojnë mes kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit të opozitës Lulzim Basha për zgjidhjen e krizës duke saktësar se diçka e tillë mund të funksiononte vetëm nëse “të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë”.

Duke theksuar se “zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik”, ata u shprehën se “duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale”./ Opinion.al

Pas