Aktualitet

Mbi 1 mln dokumente mbi Shqipërinë, Bido: Arkivi i Stambollit gjendet tani në Tiranë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:31 - 01/09/22 |
Opi Nion

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido ka njoftuar se mbi një milionë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët nga arkivi osman ndodhen tashmë në Tiranë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Bido thotë se dokumentet e marra nën zotërim në trajtë digjitale  mbulojnë veprimtaritë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor.

Po ashtu, në to gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në territoret shqiptare, evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup, si dhe të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe.

Ndërkohë, shton se ky dhurim i dokumenteve vjen në vazhdën e përpjekjeve disavjeçare të Arkivit shqiptar dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore.

Postimi i plotë

I gjithë arkivi i Stambollit gjendet tani në Tiranë

Mbi një milionë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët nga arkivi osman, rikthehet në atdhe, përmes pasurimit më të madh që kanë parë arkivat shqiptare ndonjëherë.

Dokumentet e marra nën zotërim në trajtë digjitale mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor. Mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës; informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës; evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup; informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe etj dhe dokumente të karakterit fetar.

Ky dhurim vjen në vazhdën e përpjekjeve disavjeçare të Arkivit shqiptar dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore. Më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit ka dhuruar përkatësisht rreth 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente. Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën, një pjesë e të cilit i është dhuruar organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenës./ Opinion.al

 

 

 

Pas