Aktualitet

Le të bëjmë sikur e besojmë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:09 - 13/01/20 |
Geljano Fataj

Geljano Fataj-Dy ishin daljet kryesore të kryeministrit Edi Rama këtë të hënë. E para nga reparti i ri i Forcave Speciale RENEA, që në fakt prej vitesh është një nga repartet më të suksesshme dhe dalja e dytë nga QSUT, ku me kamerat e ERTV-së tregoi pavionet e reja të kirurgjisë. Një bravo shkon për qeverinë për mbështetjen ndaj RENEA-s, ku edhe pse ka nevojë për më shumë, le të mjaftohemi me kaq.

Por ajo që të bën përshtypje në deklaratën e kryeministrit, ishte fakti se sipas tij, kriminaliteti në vend nuk është në shifra të larta dhe se Policia e Shtetit ka bërë një punë të mirë në rritjen e zbulueshmërisë së krimeve. E për të mos ta lënë fajin jetim, atë shefi i qeverisë e adresoi tek media, që e etiketoi si një xhungël informacioni.

Në kushtet e një xhungle informacioni krijohet përshtypja e gabuar mbi situatën e kriminalitetit. Ndërkohë që faktet flasin më së miri, për rënien e vazhdueshme të treguesve kryesore të kriminalitetit. Faktet flasin për një rritje të zbulueshmërisë së krimeve. Ky raport ne gjithë këto vite ka ardhur duke rritur forcën e shtetit dhe ulur forcën e krimit. Vitin e shkuar u shpërbënë më shumë se dyfishi i grupeve kriminale krahasuar me vitin 2018. U rrit forca goditëse ndaj të gjitha veprave të renda apo më pak të rënda. Vijoi procesi për afrimin e standardeve, u hap rruga për herë të parë për studentë ekselence dhe u forcua struktura e bazuar në meritokracinë në procesin e rritjes në detyrë. U aplikuan  metoda të reja kundër krimit. Falë Policisë së Shtetit jo vetëm u sigurua rendi dhe qetësia në 6 muajt e protestave por u shfaq në sytë e gjithë opinionit publik vendas dhe të gjithë atyre të interesuar jashtë Shqipërisë, fytyra e një policie shtetit proporcionale dhe funksionale”, do të deklaronte Rama.

Por çfarë faji ka media, e cila vetëm në 11 ditët e para të janarit raportoi për 4 vrasje, dy prej tyre atentate. Atentati i parë ishte vrasja e biznesmenit, Guxim Gjyriqi, përpara lokalit të tij, në Bajram Curri dhe më pas atentati me snajper ndaj Kastriot Reçit, në qendër të Rrëshenit. Në të dyja ngjarjet autorët nuk janë identifikuar. Nëse policia do të kishte rritur forcën e zbulimit, siç ndodh me policinë në vende të tjera, atëherë këto atentate do të ishin parandaluar.

Media fatkeqësisht po mbledh vetëm numrin e viktimave, ndërsa në një tjetër dosje (atë të Durrësit) dalin fakte se si efektivë policie fshehin përdhunimin e një vajze. Mes të arrestuarve të kësaj dosje ishin dhe shefa policie… Të mos zgjatemi më tej ndër vite, ku drejtues të tjerë të policisë, sipas organit të akuzës, janë të akuzuar për trafik droge.  E vetmja ngjarje ku policia është investuar prej kohësh, ka zbardhur qindra orë përgjime, është ajo e Hermes Nikajt i njohur ndryshe “Zogut të Tiranës”.

***

Si një katunar që jam, nga një katund këtu afër gjëja e parë që do bëj, do sjell një varg me hudhra t’i vendosni te dera. Ne katunarët siç i thonë nuk kina shkollë por kina eksperiencë. Hudhrat do i sjellë nesër që mos ju marrin në sysh”. (Edi Rama)

Por a mjaftojnë hudhrat për një shëndetësi të mirë? A duhet që kryeministrit të jap më shumë shifra se sa i kushton një taksa-paguesi shqiptar koncesioni i sterilizimit, të cilin e ka mbrojtur sërish si tepër të domosdoshëm?

Sipas opozitës koncesion i sterilizimit i ka marrë buxhetit të shtetit 5 milionë euro më shumë gjatë vitit 2019. Demokratët thonë se paligjshmëria ka vijuar edhe përmes urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë për të kryer sa më pak operacione, siç ishte rasti i spitalit të Durrësit dhe ai i Shkodrës. Për opozitën nëse shërbimin e sterilizimit do ta bënte shteti, kostoja do të ishte 2.4 euro për një set kirurgjikal, ndërsa me koncesionin e dhënë kushton 190 euro një set kirurgjikal.

Sipas revistës Monitor, koncesioni i sterilizimit ka dalë jashtë kontrollit për vitin 2019 ku janë paguar 3.5 milionë euro më shumë se kontrata.

Ky koncesion, sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm, i ka kushtuar shqiptarëve  3.2 milionë $ vetëm në 10 muajt e parë.

Koncesioni i sterilizimit u firmos në fund të vitit 2015 midis kompanisë  “Sani Service” dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si përfituese e shërbimit, përfaqësuar nga ministri Ilir Beqja dhe FSDKSH, përfaqësuar nga Milva Ikonomi, ku janë përcaktuar kushtet paraprake, objekti i kontratës, çmimet dhe rishikimi i çmimeve.

Kontrata nisi të zbatohet më 2016. Monitorimi i saj bëhet nga Drejtoria e Administrimit të Paketave dhe Ekzaminimeve Terciale (DAPSHET) në QSUT, raporton Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Nga auditimi i këtij shërbimi u konstatua se, nuk ka një përcaktim detajuar për përdorimin e kompleksiteteve për çdo lloj operacioni, numrin e pajisjeve të kompleksiteteve për çdo ndërhyrje dhe nuk ka një përcaktim të qartë të përdorimit të seteve të sterilizimit me avull në shërbimet spitalore universitare dhe në spitalet rajonale./ Opinion.al

Pas