Kryesore

Deputetët francezë: Hapja e negociatave varet edhe nga zgjedhjet në BE


               Publikuar në : 10:48 - 15/03/19 |
eri on

Dy deputetët francezë Liliane Tanguy dhe Jacques Maire kanë zhvilluar një takim sot në kryesinë e Kuvendit me deputetët socialistë Taulant Balla dhe Blerina Gjylameti. Ata kanë folur edhe për mediat, duke thënë se nuk duan të bëhen pjesë e debatit të brendshëm politik shqiptar, por se për hapjen e negociatave Franca do të marrë në konsideratë një sërë faktorësh.

“Kemi pasur takime edhe me qeverinë edhe me opozitën. Ne e kuptojmë qëndrimin e secilës parti, për momentin nuk duam të ndërhyjmë në debatin e brendshëm politik shqiptar. Unë mendoj që për të pasur sa më shumë sinqeritet në vendimmarrjen në Shqipëri, natyrisht duhet një konsensus. Sigurisht duhet të kemi një lloj sqarimi se si Shqipëria i trajton marrëdhëniet me vendet fqinje, duhet të kemi parasysh përpjekjet që bën Shqipëria për reformat, kryesisht reformën në drejtësi dhe duam institucione që funksionojnë. Dhe unë sigurisht kam besim te shqiptarët”, është shprehur Jacques Maire.

Por a do të jetë Franca gati të thotë “Po” në qershor? Në përgjigjen e tij, Maire la të kuptohet se është një vendim që do të varet edhe nga zgjedhjet evropiane, ku natyrisht një fitore e mundshme e nacionalistëve do të vështirësonte procesin e zgjerimit të BE-së.

“Do të kemi diskutime më të thella pas zgjedhjeve evropiane. Nuk mendoj se pritja është kur do të thotë Franca “po”, por kur do të jetë Franca gati për t’u shprehur. Përpjekja jonë dhe e presidentit Emmanuel Macron është që në zgjedhjet evropiane të kemi një shumicë progresiste në Europë, sepse po të kemi një shumicë nacionaliste do të kishim probleme”, ka thënë Jacques Maire.

Nga ana e saj, deputetja Liliane Tanguy tha se “Qëllimi i vizitës sonë është të përmirësojmë bashkëpunimin mes Francës dhe Shqipërisë, në fushën e turizmit, ndërtimit apo transporteve. Franca do t’i zhvillojë këta sektorë edhe në Shqipëri, përmes Agjencisë së Zhvillimit që kemi në Francë.”

Liliane Tanguy dhe Jacques Maire janë deputetë të partisë “La République En Marche!”, formacioni politik i krijuar nga Emmanuel Macron./Opinion.al

Pas