Trupi i një personi të dekompozuar është gjetur në orët e vona të së enjtes në brigjet e lumit Seman, në fshatin Arapaj në Roskovec.
Ishin dy peshkatarët ata të cilët pikasën trupin e dekompozuar, të cilët më pas njoftuan policinë. Këta të fundit në bashkëpunim me repartin zjarrfikës të Roskovecit bënë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës nga ujërat e lumit Seman.
Sipas policisë, trupi i përket një mashkulli në moshë të re, por për momentin është e pamundur të bëhet identifikimi i tij.
“Më datë 04.08.2022, në fshatin Arapaj, në lumin Seman, është gjetur një trup i pajetë, ende i paidentifikuar, i seksit mashkull, i dekompozuar. Po punohet për identifikimin e kufomës dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedural”, njoftoi policia.