Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar vendimin e opozitës për të mos votuar amnistinë penale, duke thënë se arsyeja lidhet me atë që ai e cilësoi si “pabesi” nga mazhoranca në procesin e kaluar.
Berisha deklaroi se amnistia është një e drejtë kushtetuese e Parlamentit, por sipas tij, nuk duhet të përdoret si një nismë e përvitshme dhe të shërbejë për të favorizuar persona të dënuar për korrupsion.
Berisha: “Amnistia është një e drejtë kushtetuese e Parlamentit, e cila duhet të ushtrohet jashtë çdo abuziviteti. Rama e ka shndërruar amnistinë në një nismë të përvitshme, me të cilën ai shumëfishon kriminalitetin dhe godet rëndë drejtësinë. Amnistitë nuk bëhen çdo vit, por bëhen periodike. Gjatë kohës që kemi qenë në pushtet, ne kemi votuar amnistinë në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit dhe në 75-vjetorin e çlirimit të vendit. Këto kanë qenë amnisti.
Nuk jemi kurrë dakord me një proces të përvitshëm. Ata sollën amendamentin, me të cilin donin të ndërprisnin proceset gjyqësore, gjë që kishte të qartë Ballukun. Ne atë nuk e pranojmë kurrë.
Specialistët tanë konstatuan që ligji që kanë hartuar i detyron shumicën e atyre që gjoja përfitojnë të kalojnë nga Gjykata e Apelit, kjo për qëllime shumë të mbrapshta, e shndërron në një proces gjobash universale. Kjo ishte arsyeja, ne kemi votuar njëherë me ta; ata, në pabesi, morën dhe futën njerëz të dënuar për korrupsion dhe ndaj ne vendosëm të mos votojmë.
Edi Rama ka votuar në favor të krimit. Ta heqim drejtësinë fare, ta mbajmë me këshilla popullore. Po ky nuk është shtet.”
Për protestën e djeshme, Berisha u shpreh: “Ishte një akt, një provokacion i vogël, por ne u themi demokratëve se gjethet dhe degëzat nuk duhet të na pengojnë të shohim trungun madhështor të kësaj proteste.
Thirrjet përpjekjet për të krahasuar Ramën me Berishën lidhen me opozitën e opozitës, vegël e qeverisë.
Thirrja ime për demokratët është të marrin pjesë masivisht në këtë protestë. Të mos harrojnë që janë forca më e fuqishme opozitare e Kuvendit. Të qëndrojnë si opozitë e pamposhtur”.
















