Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj në një prononcim për gazetarët është shprehur se deputetët janë të mendimit për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Alibeaj tha se të hënën do të zhvillohet një tjetër mbledhje, ndërsa një ditë më parë ata do të duhet të paraqesin kriteret për profilin e presidentit të ri që dëshirojnë.
Ndër të tjera ai tha se kërkesa e deputetëve ka qenë marrja pjesë në proces, por mos lejimi i përdorimit të PD nga mazhoranca.
“Kjo ishte mbledhja e parë ku u diskutua për axhendën parlamentare. U diskutua për çështjen e komisioneve të posaçme që përbëjnë lëndë të parë për grupin opozitar. U diskutua dhe çështja e Presidentit të Republikës. Dua të falënderoj kolegët deputetë për përgjegjshmërinë për të përballur këtë proces. Është një proces i rëndësishëm që teston edhe qasjen e vetë PD-së. Ishte një mbledhje ku secili prej deputetëve dha opinionin e vetë. Pashë një konsensus nga të gjithë deputetët. Në aspektin organizativ të kemi një mbledhje tjetër të hënën. Gjithë deputetëve iu kërkua që në lidhje me këtë proces, të ofrojnë kriteret sipas të cilave, ne PD-ja, dhe deputetët e PD-së, si e imagjinojnë ata, cilat do jenë kriteret, virtytet politike e morale për Presidentin. Ajo që vura re ishte kjo gjë, me një sens përgjegjësie të madhe, deputetët ndanë dy çështjet.
Të marrin pjesë në proces, por të mos përdoremi. Marrja pjesë në proceset parlamentare është një detyrim kushtetues dhe ndaj zgjedhësve tanë. Është një detyrim që duhet t’ia përmbushim. Duke kërkuar që të sjellin në kushtet e normalitetit institucional, një pjesë të vogël të Presidentit. Ky ishte sensi i përgjegjësisë, që edhe për këtë proces, prezenca dhe pjesëmarrja jonë të jetë e tillë që të nderojnë aspiratat e njerëzve që na votojnë. Kurrësesi që të jemi fasadë. Në vijim të kësaj, secili nga kolegët, deri të dielën, janë të ftuar të japin sugjerimet e veta. Si e imagjinojmë ne se si do jetë Presidenti i ri”,-tha ai.