Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me punimet që po kryhen në maternitetn “Mbretëresha Geraldinë”. Përmes një postimi në “Facebook”, Meta e ka cilësuar ndërhyrjen në godinën historike të maternitetit brutale, pa transparencë, në një periudhë pandemie.
Më tej, Presidenti sjell në vëmendje edhe shembjen e Teatrit Kombëtar, rrafshimin e objekteve që kanë status special monument kulture, si dhe “zhdukjen” e Sahatit pas kullave të cilat sipas tij janë dëshmi e babëzisë dhe të një gjenocidi kulturor ndaj identitetit të kryeqytetit, në shkelje të Kushtetutës, ligjit për konsultimit publik dhe të gjitha parimeve për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore.
“Ndërhyrja brutale mbi godinën historike të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë’’, pa transparencë, në periudhë pandemie, është një tjetër atentat, në vijim të sulmeve barbare ndaj historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar.
Shkatërrimi kriminal i Teatrit Kombëtar, rrafshimi i qindra objekteve me status special e monument kulture, si dhe “zhdukja” e Sahatit pas kullave, janë dëshmi e babëzisë dhe të një gjenocidi kulturor ndaj identitetit të Kryeqytetit tonë, në shkelje të Kushtetutës, ligjit për konsultimit publik dhe të gjitha parimeve për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore.
Duke u solidarizuar me qëndrimin e Unionit të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë për çështjen e ndërhyrjes mbi godinën e maternitetit ‘’Mbretëresha Geraldinë’’, u premtoj të gjithë shqiptarëve se pas 25 prillit në Shqipëri do të nisë epoka e referendumeve, për t’u dhënë të drejtën qytetarëve të vendosin vetë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme me interes publik”, shkruan Meta./Opinion.al