Nga Auron Dodi-
Qëndrimet e ndryshme në krizën e Mesdheut lindor qenë një nga temat qendrore të takimit të kancelares Merkel dhe presidentit Macron në Cote d’Azur. Berlini është për bisedime në krizën e Mesdheut lindor.
Në takimin e djeshëm (20.08.) midis kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron qe e dukshme përpjekja për të demonstruar elementët e përbashkët. Skena e takimit, kështjella e shekullit të 17-të Fort de Bregançon në Cote d’Azur qe zgjedhur qëllimisht nga pala franceze. Në rezidencën verore të Presidentit ftohet vetëm një personalitet në vit, u tha nga Parisi. Ftesa është shenjë e fuqisë dhe të cilësisë së marrëdhënieve dypalëshe.
Nga ana tjetër, në konferencën e shtypit para darkës së punës të dyja palët deklaruan se duan të koordinohen më ngushtë në krizat ndërkombëtare. Shkas për këtë deklaratë janë qasje të ndryshme në disa kriza. Së fundi kemi reagime të ndryshme të Francës dhe Gjermanisë në krizën e Mesdheut lindor: mes Greqisë, Qipros dhe Turqisë.
Kancelarja Merkel ka marrë rol ndërmjetësues në këtë krizë. Ajo ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin turk Erdogan dhe me kryeministrin grek Micotakis.
Kurse Franca po patrullon, në mbështetje të Greqisë, me dy anije luftarake ujërat greke. Ka dërguar atje edhe një avion luftarak. Këto veprime Parisi i bëri pa koordinim me Berlinin. Berlini tha vetëm se “i merr në konsideratë” ato.
Siç dihet, Turqia po provon të gjejë gaz natyror në det, në Mesdheun Lindor. Sipas Turqisë, gazin ajo po e kërkon para territorit vetjak kontinental. Por Greqia e akuzon se gazin po e kërkon në ujërat greke. Ka pasur me sa duket edhe një përplasje, mes anijeve luftarake greke e turke.
Merkel: gjendje shumë kritike në Mesdheun lindor
Në këtë drejtim, kancelarja Merkel e cilësoi „shumë kritike” gjendjen në Mesdheun lindor. Mund të dërgosh anije, tha ajo. Por “ne mbrojmë qëndrimin që problemet zgjidhen duke biseduar – dhe jo duke shkallëzuar tensionet. Kjo vlen për të gjithë pjesëmarrësit.” E vështirë të thuhet se cila strategji është më e mira. Merkeli tha edhe se “BE duhet të shfaqet si aktor gjeostrategjik”. Dhe këtu ka ende shumë për të bërë.
Emmanuel Macroni e shpjegoi sjelljen e Francës me interesin që të mbrohet sovraniteti i BE. Greqia dhe Qiproja janë anëtare të BE. Si dhe me interesin për stabilitet në rajonin e Mesdheut. Presidenti francez tha se për të dyja objektivat Parisi dhe Berlini janë të të njëjtit mendim. “Objektivi ynë strategjik është i njëjtë: sovraniteti dhe stabiliteti evropian”. Por shtoi se “të gjithë ne kemi mënyrat tona, për t’i bërë gjërat. Të gjithë kemi historinë tonë vetjake.”
Ndërsa kancelarja Merkel tha se megjithë bashkëpunimin, kemi edhe karaktere të ndryshme.
Qasje të ndryshme ndaj Turqisë dhe Libisë
Macroni konsiderohet njëri nga kritikët më të ashpër në BE të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Pas takimit me kancelaren Merkel ai tha se “te Turqia duhen vënë gjërat në rregull, kur ndodhin provokime apo teprime”. Kurse mediave franceze Macroni u tha këto ditë se Erdogani përzien nacionalizmin me islamizmin, në një formë të papranueshme për Evropën. Ai e akuzon Turqinë edhe se shkel embargon e OKB-së kundër Libisë.
Edhe Gjermania është kritike ndaj Erdoganit. Edhe në adresë të Turqisë, Merkeli qartësoi se “sulmet ndaj sovranitetit të BE nuk do të pranohen”. Por për Gjermaninë dhe BE, bashkëpunimi me Turqinë ka rëndësi, sidomos për çështjen e refugjatëve, që Turqia i strehon dhe i pengon të vijnë në Evropë. BE, ndonëse mbështet në grindjen në Mesdheun lindor anëtarët e tij, Greqinë dhe Qipron, nuk ka vënë sanksione ndaj Turqisë. Por po ndjek rrugë diplomatike.
Libia ishte një nga temat e tjera në takimin e përbashkët. Në takimin e djeshëm (20.08.), kancelarja Merkel tha se Libia nuk është një shtet, ku mund të ndjekësh si shtet i tretë, synimet e tua strategjike. Vëzhgues të ndryshëm thonë se Franca po mbështet në Libi gjeneralin Haftjar, kundërshtarin e qeverisë së njohur nga OKB-ja të Libisë. Kurse Turqia po mbështet qeverinë aktuale, me të cilën ka lidhur marrëveshje të posaçme.
Franca dhe lidhja me rajonin e Mesdheut
Franca ndihet përgjegjëse për rajonin e Mesdheut. E shikon, ja ku është, i tha Macroni dje kancelares Merkel, duke ia treguar detin, që nga kështjella Fort de Bregançon. Ish- presidenti francez Sarkozi ishte nga më aktivët në angazhimin që Perëndimi të ndërhyjë ushtarakisht në Libi – për rrëzimin e diktatorit Muamar Gaddafi. Në një inisiativë vetjake, Franca krijoi në vitin 2008 Bashkimin për Hapësirën Mesdhetare, që tani e ka humbur mjaft rëndësinë.
Parisi i interesuar për koordinim me Berlinin
Megjithë veprimet vetjake në Mesdheun lindor dhe në Libi, Parisi përpiqet ta ruajë dinamikën që solli në marrëdhëniet dypalëshe dakordimi i Berlinit për fondin e rindërtimit të Evropës nga Corona. Francezët e cilësojnë këtë një dakordim historik. Për hir të së ardhmes së BE, Gjermania braktisi „historinë vetjake” dhe ra dakord që BE të marrë borxhe për bashkësinë.
Vlerësimi nga Franca pasqyrohet edhe në simbolikën e vendit të takimit. Kancelari i fundit gjerman i ftuar rezidencën verore të presidentit francez ka qenë Helmut Kohli, 35 vjet më parë. Presidenti François Miterrand e ftoi Kohlin atje në shenjë të marrëdhënieve të ngushta.
Presidenti Macron tha në Fort de Bregançon se “Gjermania dhe Franca punojnë më me efektivitet bashkë, kur kanë përcaktuar qëllime të përbashkëta”. Në këtë frymë, ai ra dakord me kancelaren Merkel për t’i koordinuar më mirë masat kundër virusit Corona në të dyja anët e kufirit. Një mbyllje e kufirit të përbashkët, si në mes të marsit, në të ardhmen nuk duhet të ndodhë më.