Nisma Thurje ka dorëzuar sot në SPAK një kallëzim penal ndaj zyrtarëve publik dhe personave të tjerë të përfshirë në konçesionet e inceneratorëve.
Në kallëzimin e tyre ngrihen dyshime se gara për ndërtimin e inceneratorit të Fierit ka qenë “e trukuar” dhe se rezultati ka qenë i paracaktuar.
Ata argumentojnë se kompania që fitoi tenderin 28 milionë euro, “Integrated Technology Ëaste Treatment – Fier” është krijuar pikërisht me qëllim përfitmin e këtij tenderi. Ajo është krijuar nga bashkimi i “Integrated Technology Services” dhe “Energy 2 s.r.l”.
Sipas kallëzimit të Nismës Thurje, kjo e fundit, në pronësi të një shtetasi italian, përmbushte të gjitha kërkesat për fitimin e tenderit, pa u dashur të bashkohet me “Integrated Technology Services”.
Pas marrjes së tenderit, kompania italiane ka shitur aksionet e saj (20%) tek një kompani tjetër. Më pas pronari italian nëpërmjet një kompanie tjetër të tij është kontraktuar nga “Integrated Technology Services” për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 15 milionë euro, pothuajse sa gjysma e vlerës së tenderit.
Nisma Thurje pretendon se në këtë rast kemi të bëjmë me një tender problematik nëpërmjet të cilit janë shpërdoruar para publike, po kryehet evazion fiskal dhe kemi përfshirjen e krimit të organizuar ndërkombëtar në vendin tonë.
Përfaqësuesi i Nismës Thurje, Pano Soko tha në dyert e SPAK se sot kemi një drejtësi më të shtrenjtë, por mbetet për t’u provuar nëse është më e mirë.
“Një gjë është e sigurt, nga më parë, ne kemi një drejtësi më të shtrenjtë, por a kemi një drejtësi më të mirë? Këtë duhet ta bëjë SPAK. Nuk po kërkojmë një drejtësi europiane, por të paktën në nivelin e Zimbabves. Ne mbetemi shpresë plotë, që drejtësia një ditë do të vendoset në këtë vend” tha ai.
KALLËZIMI I NISMËS THURJE
Objekti: Kallëzim penal për zytarët publik dhe personave të tjerë të përfshirë në konçesionet e inceneratorëve, të cilët mund të kenë konsumuar disa vepra penale të parashikuara në Kodin Penal të RSH.
Baza ligjore: Neni 280 dhe 283 i K.Penal, neni 186,248, 258 dhe 287 te K.Penal, Ligji nr.9754, date 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale te personave juridike”
- Prishja e garës dhe barazisë në tendera
Referuar të dhënave që gjenden në regjistrin tregëtar të kompanisë “Integrated Technology Ëaste Treatment – Fier”, dhe ekstraktin historik të saj në QKB, mund të shihet se Kompania Integrated Technology Ëaste Treatment – Fier, me NIPT L62205045F është krijuar më datë 03.10.2016, është regjistruar në QKB në datën 05.10.2016 dhe ka fituar garën për kontratën me objekt “Dhënia me koncesion e Ndërtimit dhe Administrimit të Impiantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane Fier” më datë 24.10.2016, me vlerë 28 milionë Euro. Pra bashkimi i kompanive “Integrated Technology Services” – 80% dhe “Energy 2 s.r.l” – 20%, ka fituar garën vetëm 19 ditë nga formimi i kompanisë konçesionare. Shpejtësia e pazakontë e veprimeve që kanë ndodhur ngre dyshimin e arsyeshëm që këtu kemi të bëjmë më një garë të trukuar ku rezultati ka qënë i paracaktuar që më përpara.
Njëkohësisht, nisur nga ngjarjet e ndodhura më pas, lind dyshimi i arsyeshëm që këtu kemi pasur të bëjmë edhe me trukim të garës, pasi kompania “Energy 2 s.r.l” që përmbushte kriterin e eksperiencës në bashkimin e dy kompanive që formuan kompaninë konçesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment – Fier”, në datë 31.10.2016, mund t’i ketë shituar aksionet e saj një kompanie tjetër, “Ndërtim Montimi Patos” për vetëm 20 mijë lekë. Kjo shumë konsiderohet shumë e ulët, duke pasur parasysh që një javë më parë, kompania konçesionare ku Energy 2 s.r.l kishte 20% të aksioneve, kishte fituar një kontratë me vlerë paraprake 28 milionë Euro, vlerë e cila do te shkonte në mbi 35 milionë Euro.
Njëkohësisht, dyshimi shtohet kur pasi shitur aksionet e veta tek kompania konçesionare dhe ka dalë nga pronësia në të, pronari i kompanisë italiane Energy 2 s.r.l Ernesto Graneli, nëpërmjet një kompanie tjetër, Energy Recuperator, ka lidhur një kontratë për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, me kompaninë konçesionare “Integrated Technology Services” për një vlerë prej 15 milionë Euro.
Kjo krijon dyshimin që kompania Energy 2 s.r.l është përfshirë fillimisht në mënyrë fiktive si pjesë e kompanisë konçesionare, vetëm sa për të plotësuar kriterin teknik të domosdoshëm për konçesionin kompania “Integrated Technology Services” me pronar dhe administrator Klodjan Zoto (që i bie të jetë fituesi real i konçesionit), më pas ka dalë nga bashkimi dhe ka lidhur një kontratë për ndërtimin e inceneratorit, si kompani e jashtme.
Në një situatë logjike, duke qënë se Energy 2 s.r.l i plotësonte të gjitha kriteret, ajo mund të futej e vetme në garë dhe ta fitonte vetë konçesionin e ndërtimit të inceneratorit, pasi vlera me të cilën ajo do të ndërtonte inceneratorin (15 milionë Euro) ishte rreth 55% e vlerës që kërkonte bashkimi i saj me “Integrated Technology Services” dhe që u lidh në kontratë (28 milion Euro). Fakti që Energy 2 s.r.l mund të jetë përdorur fiktivisht për të fituar konçesionin kompania “Integrated Technology Services”, ngre dyshimin që gara mund të ketë qënë e paracaktuar që do të fitohej nga kjo kompani, në një vlerë që shkon gati sa dyfishi i kostos së ndërtimit të inceneratorit dhe që Energy 2 s.r.l, në këmbim të kontratës së ndërtimit të inceneratorit, duhet të futej në bashkim fiktivisht, sa për të plotësuar fiktivisht kriteret, pasi “Integrated Technology Services” nuk i plotësonte dot.
- Keqadministrimi i pasurisë publike
Nisur nga fakti i bërë publik i kontratës së ndërtimit të inceneratorit të Fierit mes Energy 2 s.r.l me pronar Ernesto Graneli dhe kompanisë konçesionare që tregon se kosto e ndërtimit të inceneratorit prej 15 milionë Eurosh të marë përsipër nga Energy 2 s.r.l është shumë më e ulët sesa vlera e tenderuar prej 28 milionë Euro nga qeveria shqiptare, tregon që këtu kemi pasur një keqadministrim të parasë publike në vlerësimin e vlerës së shërbimit të përftuar. Pra këtu ështe tenderuar një sherbim i përftuar me dyfishin e kostos që ai mendohet të ketë. Dhe kjo bie ndesh me parimin e ekonomizimit të përdorimit të parasë publike, të përcaktuar në ligjin për menaxhimin financiar dhe aktet nënligjore të dala prej tij.
- Falsifikimi i objektit të truallit të ndërtimit
Disa të dhëna sugjerojnë se qeveria shqiptare mund të jetë kompromentuar në akte të falsifikimit të dokumenteve pronësore mbi tokën ku do ndërtohet inceneratori. Një hulumtim i mëhershëm mbi pronën ku do të ndërtohet inceneratori i Fierit, tregoi nga të dhënat e zbuluara se konvertimi i kësaj prone nga tokë bujqësore në tokë truall është kryer në mënyrë të dyshimtë. Trualli ku është përcaktuar ndërtimi i këtij inceneratori ndodhet në një nyje kufitare që lidh tre fshatra Mbrostar-Kallm-Verri. Kjo zonë është e gjitha bujqësore dhe e tillë ka qenë prej dekadash. Në regjistrin e Kadastrës së Fierit kjo zonë identifikohet me shifrën KZ-2636. Ngastra konkrete ku është parashikuar ndërtimi i inceneratorit është KZ-2636 me numër pasurie Nr.1. Kjo pasuri ka qenë përherë tokë bujqësore dhe për ta konvertuar në tokë truall (me qëllim ndërtimin e inceneratorit) duhet një vendim i posaçëm i qeverisë që autorizon konvertimin.
Një vendim i tillë i qeverisë nuk u zbardh, ndërsa e vetmja VKM ishte ajo për shpronësimin e kësaj ngastre, e cila konsiderohej automatikisht si tokë truall, bazuar në të dhënat e hipotekës së Fierit. Por si u konvertua nga tokë bujqësore në tokë truall kjo ngastër e çmuar ku do ndërtohet inceneratori? A e kishte autorizuar qeveria konvertimin apo procesi është falsifikuar. Nëse do e kishte konvertuar qeveria me vendim të posaçëm, atëherë kjo ngastër jo vetëm do ishte regjistruar në hipotekë si tokë truall, por njëkohësisht ngastra do ishte fshirë dhe nga regjistri i tokave bujqësore të DAMT-së Fier. DAMT-ja është një organ në varësi dyfishe nga Ministria e Bujqësisë dhe Këshilli i Qarkut të Fierit. Për çdo vendim qeverie që autorizon konvertimin e tokës bujqësore në truall, ligjërisht autorizohet Ministria e Bujqësisë dhe këshilli i Qarkut për zbatimin e vendimit. Pra nëse do ekzistonte një vendim qeverie që kishte bërë konvertimin e ngastrës nga tokë bujqësore në tokë truall, automatikisht DAMT-ja do e kishte fshirë nga regjistri i saj i tokave bujqësore.
- Shpërdorimi i buxhetit të shetit
Bazuar në të dhënat e nxjerra nga Thesari i Ministrisë së Financave, kompania konçesionare ka përfituar mesatarisht një pagesë mujore prej rreth 65 milionë lekësh që nga muaji Nëntor 2016 e në vazhdim. Për shkak të pengesës që zbatimi i këtij projekti hasi nga kundërshtia e banorëve të zonës, ky projekt filloi zbatimin në fund të 2017 fillim të 2018. Gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga lidhja e kontratës e deri në fillimin e punimeve (mbi një vit kalendarik) konçesionari ka përfituar shumën e parave, ndërkohë që nuk dihet nëse ka kryer ndonjë shpenzim. Lidhja e një kontrate të tillë që kushtëzon pagesën e kontraktorit me lekë nga buxheti i shtetit, pavarësisht faktit të mos-nisjes së punimeve, ngre dyshime të forta mbi personat që kanë lidhur këtë kontratë, të cilët mund të kenë shpërdoruar detyrën shtetërore duke shkelur parimet e mirë-administrimit financiar të shprehur në Nenin 2 të Ligjit 10296 datë 8.7.2010:
Qëllimi i këtij ligji është përdorimi sa më efiçient, efektiv dhe ekonomik i burimeve financiar publike, duke respektuar parimet e transparencës dhe të ligjshmërisë, si dhe shmangia e shpërdorimit, keqpërdorimit dhe vjedhjes së pasurisë.
dhe nenit 8.1 të tij:
Titullarët e njësive publike, të përmendura në nenin 3 të këtij ligji, përgjigjen për…dhe përdorimit të fondeve publike, në mënyrë të ligjshme, me ekonomi, efektivitet dhe efiçencë
- Evazioni fiskal dhe pastrami i produkteve të veprës penale
Siç është raportuar dhe nga media konçesionari i inceneratorit të Fierit “Integrated Technology Services” është hetuar nga prokuroria për falsifikim dokumentash financiarë dhe evazion fiskal, si kompania e parë në listën prej 72 kompanish që dyshoheshin nga prokuroria se kishin fryrë artificialisht shpenzimet nëpërmjet faturave fiktive, me plot 987 milionë lekë (gati 8 milionë Euro) që përbënin gjysmën e gjithë shumës që prokuroria po hetonte. Ky fakt ngre dyshimin e arsyeshëm që kompania konçesionare jo vetëm po kryente evazion fiskal për të shmangur pagesat e taksave si TVSH dhe Tatim Fitimi, por nga krahu tjetër po realizonte të ardhura fiktive për kompani të tjera (leshuesve të faturave fiktive). Realizimi i të ardhurave fiktive është indicie e fortë që aty mund të ketë pasur aktivitet të dyshuar si pastrim parash në përfitim të kompanive që kanë prerë këto fatura fiktive.
- Përfshirje të krimit të organizuar ndërkombëtar
Grupi që sot po administron gjithë veprimtarinë e ndertimit dhe operimit të inceneratorëve me skema të partnertetit publik-privat që eshtë inceneratori i Elbasanit, inceneratori i Fierit dhe ai i Tiranës, lidhen me njëri tjetrin nëpërmjet kompanive të krijuara jashtë vendit. Në media janë hedhur dyshime se kompania EM Kapital e krijuar në Bullgari është një ndër kompanitë ku Klodjan Zoto dhe Mirel Mërtiri, bashkëjetuesi i pronares së vetme të inceneratorit të Elbasanit Stela Gugalli, lidhen me njëri tjetrin në një partneritet biznesi[1]. Së fundmi, një ndër partnerët në biznes të Mirel Mërtirit, Ilir Dedja, është shpallur në kërkim nga prokuroria e Zimbabëe dhe nga Interpol në lidhje me një aferë korruptive në shtetin e Zimbabëes që përfshinte Ministrin e Shëndetësise së atij vendi. Ministri i Shëndetësisë së Zimbabëes është arrestuar, ndërsa Ilir Dedja është shpallur në kërkim.
Njëkohësisht, rreth 2 vjet më parë, Klodjan Zoto ka pasur një çështje të hapur nga prokuroria e Zimbabëes për një ofertë të paraqitur në lidhje me ndërtimin e një inceneratori. Procedurat u bllokuan në atë kohë sicc raportohet edhe në mediat online[2]
Implikimi në afera korruptive i këtij grupi, ngre dyshimin e arsyeshëm, se e njëjta skemë përfitimi mund të jetë përdorur dhe në Shqipëri në rastin e kontratave konçesionare./ Opinion.al