Nuk mjaftoi thjesht kualifikimi për herë të parë në kampionatin europian që të tërhiqte vëmendjen Islanda. Eliminimi i gjigantëve të Anglisë kurorëzoi një ëndërr që po përjetohet në maksimum nga shteti me vetëm 329 mijë banorë.
Katër vite më parë ishin në vendin e 131të të FIFAs, një ekip modest që merrte pjesë në eliminatore pa shumë pretendime. Por, tashmë ata menaxhojnë një brez të shkëlqyer futbollistësh dhe mbi të gjitha frytet e një “formule” të suksesshme që ka praktikuar federata e futbollit në bashkëpunim me pushtetin vendor.
Si nisi gjithçka Islanda e praktikon kampionatin e saj vendës, i cili është gjysmëprofesionist edhe sot, në vetëm katër muaj kalendarik. Fillon në mesin e majit dhe përfundon në fillim të shtatorit, për shkak të kushteve meteorologjike. Futbollistët nuk paguhen shumë dhe nuk shikohet si një profesion që të siguron jetën.
Por, pa menduar vetëm për cilësinë e sportit, shihej si e nevojshme që brezat e rinj të kalonin kohën e lirë duke ushtruar sport dhe duke qenë se futbolli kishte nevojë për masivizim, atëherë vendosën të investojnë në të. Federata e futbollit, në bashkëpunim me pushtetin vendosur, investuan në fusha me bar sintetik, por të mbyllura.
Në një kohë të shkurtër, u ndërtuan plot 150 fusha me parametra të vogla dhe 30 me parametra të plota për një ndeshje futbolli, të gjitha të mbuluara. Nuk u investua shumë në shkallë për tifozët apo qendra biznesi rreth tyre, pasi synuan që të mbledhin të rinjtë që të praktikojnë futboll, për të rritur cilësinë në të ardhmen dhe për të rritur breza të shëndetshëm.
Njëkohësisht, me ndërtimin e fushave, që nuk kanë pasur nevojë për shifra kolosale financiare, u investua edhe në kualifikimin e trajnerëve. Federata krijoi lehtësira që kushdo që ishte i interesuar, të merrte licencimet përkatëse nga UEFA, pa qenë ishfutbollist. Saktësisht, bashkëtrajneri aktual i Kombëtares, Heimir Halgrimson, vazhdon të jetë një dentist, ndonëse paralelisht mori të gjitha kualifikimet e duhura si trajner. Pse u investua te trajnerët Çdo person që kishte marrë licenca trajneri u punësua me pagesa modeste, në formë honoraresh, në fushat e sapondërtuara, në mënyrë që të jepnin leksione profesionale për fëmijët që silleshin nga prindërit.
Pra, jo vetëm që rriteshin breza të shëndetshëm që ushtronin sistematikisht sport, siç është futbolli, por njëkohësisht trajnoheshin në mënyrë profesionale, duke i dhënë mundësinë që në të ardhmen të ishin të përgatitur për një karrierë profesioniste. Kjo është një arsye shumë e rëndësishme që përfaqësueset e moshave të Islandës janë konkurrente shumë të forta në kontinent dhe mbi të gjitha, e madhja po shkëlqen në Europian. Shumica e trajnerëve që stërvisin të rinjtë çdo pasdite janë gjithashtu të punësuar në profesione të tjera, por sistemi i ngritur tashmë i përfshin thuajse të gjithë në këtë sport. Ndonëse janë 329 mijë banorë, plot 7.5% e popullsisë ushtrojnë në mënyrë të rregullt futbollin (meshkuj ose femra), duke luajtur me një nga ekipet vendëse.