Dy të përditshme, Shqiptarja.com dhe gazeta Tema shkruajnë sot se Flamur Noka ka patur ofertë për të punuar si agjent i UBD dhe këtë fakt nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit të dekriminalizimit.
Sipas tyre, Noka mund të jetë subjekti i parë i veprimit të ligjit të dekriminalizimit, por nuk specifikohet nëse Noka ka qenë agjent apo ka patur thjesht një ofertë nga shërbimet inteligjente të ish-Jugosllavisë.
“Flamur Noka, është ndaluar në vitin 1991 në ish-Jugosllavi. Gjatë qëndrimit në burg, Noka është marrë në pyetje nga UDB jugosllave, në përpjekje për ta rekrutuar si bashkëpunëtor”, shkruan Shqiptarja.com.
Po kjo gazetë thotë se “në vitin 1991, Noka është marrë në pyetje nga policia e Kukësit për izolimin e tij në ish-Jugosllavi, deponimin para UDB jugosllave dhe ofertat e kësaj të fundit, për ta rekrutuar. Gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet shqiptare, Noka ka pranuar se ka pasur oferta për të punuar për UDB, por ka refuzuar”.