LULZIM BASHA
Sot, në ditën tonë më të bekuar, në ditën e Lirisë, jemi mbledhur në këtë marshim madhështor proteste, në këtë referendum të jashtëzakonshëm të qytetarëve të lirë, për të kërkuar njëzëri, si një trup i vetëm, për të diktuar me fuqinë e mendjeve dhe zemrave tona largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që do të bëje gati zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Rama ik! Meta ik!
Para nesh shtrohen sot vetëm dy zgjidhje.
Ose të largojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë duke bërë sehir largimin e popullit, largimin tuaj nga Shqipëria.
Ose të rrëzojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë.
T’i nënshtrohemi tiranisë së vjedhjes, krimit dhe varfërisë ose te reagojmë sot, nesër do të jetë vonë.
Rrugë të mesme nuk ka.
Nuk ka më kohë e nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me dyzet hajdutë.
Nuk ka më pritje dhe nuk duhet të presë më askush, asnjë ditë.
Pritja e mbaroi kohën e saj.
Propaganda dhe mashtrimet e mbaruan kohën e tyre dhe tani ngjallin vetëm neveri, vetëm indinjatë.
Përballë krizës që vetëm thellohet;
Përballë varfërisë që vetëm rritet;
Përballë korrupsionit dhe makutërisë marramendëse;
Përballë zgjedhjeve të marra peng me dhunë dhe blerje votash;
Përballë rrugëve të mbyllura të fatit për çdo shqiptar, përfshirë edhe rrugët e eksodit të dhimbshëm;
Përballë 1001 të zezave që ju i dini fare mirë sepse i keni plagë në trup, në zemër dhe në shpirtin tuaj
Kjo është përgjigjja dhe nuk ka tjetër
Kjo është zgjidhja dhe nuk ka tjetër: Të largohen, të ikin, të shporren.
Kjo është zgjidhja që vjen nga vuajtja, dëshpërimi, nga zhgënjimi juaj.
Kjo është zgjidhja që vjen vuajtja, nga poshtërimi që ju bën një kryeministër që si hakmarrje ndaj lirisë që shqiptarët e fituan 25 vite më parë, zgjohet dhe ngryset me fjalët burg, burg, burg, për njerëzit e thjeshtë.
Kjo është zgjidhja që vjen nga kundërshtimi, nga papajtueshmëria dhe revolta popullore kundër aferave të megakorrupsionit dhe vjedhjes masive të pasurisë publike nga e gjithë kupola qeveritare me në krye Edi Ramën.
Kjo është zgjidhja që vjen nga mbushja e kupës dhe vrasja e shpresës se me këtë qeveri s’mund të ketë as një ditë të mirë.
Është zgjidhja që vjen nga zgjimi i vrullshëm i një populli tërë:
Ç’janë këta që gënjejnë, gënjejnë, gënjejnë dhe as skuqen, as nxihen?
Ç’janë këta që vjedhin, vjedhin, vjedhin dhe as skuqen, as nxihen, por vetëm fryhen e kapardisen?
Ç’janë këta që janë lëshuar si hordhi me kërbaç në dorë kundër popullit të tyre duke u mburrur se po bëjnë shtet.
Po bëjnë shtetin e tyre, shtetin ku pushteti i tyre është i veshur me krim, e krimi me pushtet.
Shtet ku ligjin e bëjnë narkotrafikantët, tutorët me të cilët ndajnë paratë.
Shtet ku i pamunduri kalbet në burg për një kupon dhe kryehajdutët sa më shumë vjedhin aq më shumë kapardisen.
A është ky shteti ynë? Ky është shteti i tyre, e nuk mund të jetë e nuk është kurrë shteti ynë.
Të ikin, të largohen, të shporren!
Kjo është e vetmja zgjidhje për ta. Qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës e dogji në dy vite mandatin e saj katërvjeçar. Ajo është barrë shtesë, kosto shtesë për çdo shqiptar.
Me skandalet e tyre të përditshme, me bllokimin që i kanë bërë hetimit kombëtar e ndërkombëtar të mega-aferave të tyre të pista, Rama-Meta nuk kanë të drejtë morale dhe politike për të vazhduar më asnjë ditë në detyrat që mbajnë.
Ikni, largohuni, shporruni!
Sepse kjo qeveri nuk është më në gjendje të korrigjojë kursin e saj të katastrofës kombëtare. Nuk munden, jo vetëm sepse janë të paaftë, siç e treguan në këto 2 vite, por edhe sepse më e keqja dhe më fatalja, janë ata vetë që kanë kurdisur mekanizmin oligarkik të korrupsionit që mund ta ndalojmë vetëm duke e shkatërruar nga themelet.
400 milionë dollarë mungojnë nga tatimet dhe doganat.
400 milionë dollarë është shifra e tmerrshme e dështimit, shifra e tmerrshme e grabitjes, e korrupsionit, kontrabandës dhe evazionit për llogari të xhepave të Edi Ramës dhe lubive të tij.
Po kush është Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, kush është Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ku bëhet gjithë kjo batërdi? Kush është kryeoligarku? Asnjë iluzion. Ka qenë dhe është vetëm Edi Rama.
Atë e gënjen mendja se mund të vazhdojë të vjedhë e t’i punojë doganat e tatimet si t’i kishte të vetat. E gënjen mendja se nuk ka kush ta shkarkojë.
Ka, ka kush e shkarkon.
E shkarkojnë qytetarët, e shkarkoni ju.
Kaq do të mjaftonte për t’i dhënë duart, për ta flakur nga dritaret këtë bandë që pozon si qeveri.
Por nuk mbaron këtu.
Kanë zhdukur tenderin, kanë zhdukur garën si asnjëherë më parë me qëllim që paratë publike që po i bëjnë rrush e kumbulla.
E ndajnë me njëri-tjetrin me mburrje, duke u treguar dhëmbët dhe madje edhe burgun atyre që i tregojnë me gisht si kusarë.
E keni dëgjuar, e keni ndjerë dhimbjen dhe jeni skandalizuar. Tenderi pa garë i “Jaguar” për Ramën dhe ministrat- se nuk ju rri rehat në makinat që kanë- i jepet ndërtuesit të vilës së Ramës.
Tenderi tjetër 5 milion euro i jepet në tavolinë-ndërtuesit të sarajeve të Edi Ramës.
30 tendera për ortakun e Beqës së Shëndetësisë, tendera e koncesione pa garë, si pagesa të stërmajme nën dorë, për Vali Leskjan, për Kokëdhimën, për Ahmetjan, për Gjiknurtët, për deputetët, për oligarkët e rrethit të ngushtë Rama-Meta.
777 milionë euro para të djersës dhe gjakut tuaj që i ndajnë dhe i vjedhin në investime luksi dhe shërbime fiktive që nuk i prek njeri, siç është i famshmi Check-up. Tenderi 100 milion dollarë që i është dhuruar oligarkes së oborrit.
Kjo del e tepron për ta flakur Edi Ramën dhe bandën e tij të 40 hajdutëve.
Por prapë nuk mbaron këtu.
5 net më parë bllokuan hetimin për CEZ-in. Hëngrën pa u skuqur dhe pa u nxirë fjalën e dhënë. Treguan se janë përlyer deri në fyt. Pranuan se ata janë fajtorët, se ata janë hajdutët dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut të shpërdorimit dhe vjedhjes së parave dhe pasurive publike ne punishten e madhe të kusarisë që punon natë e ditë, 24 orë nonstop, për të shtuar e shumëfishuar pasuritë 200 milionëshe të Edi Ramës dhe luksin me 40 hajdutë e tij.
Qershia e zezë mbi këtë tortë që qelbet erë është narko-taksia e Saimir Tahirit,për narkotrafikantët me patentë. Shqiptarë a ju ka zënë ndonjëherë veshi një maskaradë të këtij niveli? A keni parë apo dëgjuar në Europë apo në botë një ministër të Brendshëm në shërbim të trafikantëve të drogës që kapardiset me dorën e kryeministrit në sup, në vend që të shporret nga sytë këmbët dhe të përballet më ligjin?
Nuk meritojnë të quhen qeveri. Nuk janë qeveri.
Janë një bandë.
Bandë që s’ka ndërmend të ndalet po nuk i ndalem ne e po nuk i ndalëm sot.
Motra dhe vellëzër,
Nuk mund të ndodhë, nuk duhet të ndodhë të ikë populli dhe të qëndrojë qeveria. E kundërta po, e kunderta është sot mision, detyrë për çdo shqiptar.
Të ikin, të largohen, të shporren.
Populli është fuqia supreme në demokraci.
Ata mendojnë se kjo është parullë.
Ne duhet t’ju tregojmë se ky është ligji i artë i demokracisë.
Ata thonë se shqiptarët nuk e kapërcejnë dot kufirin e këmbënguljes dhe vendosmërisë civile që e detyron një qeveri të bjerë në rrugë demokratike paqësore, siç bëjnë popujt e qytetëruar në demokracitë perëndimore, siç bënë së fundmi edhe fqinjët tanë në Maqedoni dhe Rumani.
Por ne jemi gati, ne jemi të përgatitur ta bëjmë këtë kapërcim të madh.
Ne nuk do të lodhemi, nuk do të nënshtrohemi. Ky është fillimi i një stine protestash që do të ndalet vetëm kur të arrijë objektivat e saj popullore.
Ka nisur mosbindja civile.
Në këmbë qytetarë e qytetare. Në këmbë shqiptarë e shqiptare.
Largimi i qeverisë Rama-Meta është zgjidhja.
Qeveria teknike është zgjidhja.
Çlirimi i vendit nga duart e kusarëve është zgjidhja.
Zgjedhjet e reja me rregulla demokratike të shkruara e të zbatuara, është zgjidhja.
Na ka thirrur në këtë mision të ri 8 dhjetori i vitit 1990, dita kur studentët e lavdishëm të Universitetit të Tiranës shpërthyen Lëvizjen studentore demokratike për Shqipërinë si gjithë Europa.
Liri nga Tirania komuniste, ishte thirrja e tyre.
Liri nga Tirania e krimit, e korrupsionit dhe e padrejtësisë është thirrja jonë.
Ikni, largohuni shporruni!
Vëllezër e motra,
Shqipëria është e madhe për ne të gjithë. Atë e kanë zvogëluar injorantët dhe kusarët në timonin e qeverisjes.
Pasuritë e Shqipërisë dalin dhe teprojnë për gjithë shqiptarët. Ato i kanë bërë të mangëta dhe mallkim shpirtvegjëlit dhe të babëziturit në timonin e qeverisjes.
Shqipëria mban e mund të mbajë me punë, mirëqenie e dinjitet shumë me shumë se sa jemi.
Atë e kanë bërë njerkë dorëmbledhur për shumicën e shqiptarëve një grusht peshkaqenësh me Edi Ramën në krye, që janë më pak se 1 përqind e popullisisë, por që zotërojnë mbi 90 përqind të pasurive tona.
Në cilin vend të lirë të botës ka ekzistuar dhe ekziston ky hendek, ky kontrast kaq i madh? Askund. Ky nuk është pushtet demokratik. Kjo është është xhungla e kleptokracisë.
Prandaj është çuar rinia, prandaj është çuar është çuar Shqipëria!
Çohu rini, çohu Shqipëri!
Ka shpëtim, ka rrugëdalje, ka një të ardhme.
Alternativa e shpëtimit janë liria dhe ligji, taksat e ulta dhe qeverisja e përgjegjshme, llogaridhënia dhe transparenca, demokracia pjesëmarrëse dhe zgjedhjet e lira.
Por e gjithë kjo kërkon si parakusht largimin e bandës së xhunglës, krijimin e qeverisë teknike, përgatitjen e zgjedhjeve të reja ku populli do të zgjedhë lirisht qeverinë që dëshiron.
Dhe nuk ka forcë, nuk ka forcë ta ndalojë sot shumicën e bashkuar të shqiptarëve që vendosin të luftojnë pa kompromis, sot, nesër dhe çdo ditë për këtë zgjidhje. Nuk ka qeveri ta ndalojë.
Ne i kemi dalë zot dhe ne do t’i prijmë këtij vendimi.
Le të jetë 8 dhjetori 2015 dita që kujton dhe bën histori.
Le të shkruajmë së bashku një faqe të re ne historinë e civilizimit tonë.
Faqja ku shkruhet se shqiptarët u ngritën, u bashkuan dhe përmbysën me forcën e bashkimit një qeveri që kish dalë nga binarët, që i vidhte, po i rrënon, dhe po i dëbonte.
Faqen ku shkruhet se shqiptarët nuk pranuan kokulur tiraninë e re.
Se shqiptarët nuk ranë në natën e gjatë të padrejtësisë, korrupsionit, krimit dhe varfërisë.
se shqiptarët u ngritën dhe morën në dorë fatet e tyre.
Faqen ku shkruhet se Shqipëria ngrihet, se shqiptarët ngrihen! Ngrihen dhe ecin përpara. Ngrihen dhe ecin drejt dritës së Zotit!
Rroftë Liria! Zoti e bekoftë Shqipërinë !
*fjalimi i kryetarit të PD, Basha gjatë protestës së 8 dhjetorit