Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

E kisha pritur një jetë!

2015/10/13 at 11:27 AM
në Te Fundit, Unë shkruaj
Kohë leximi: 6 min
A A
E kisha pritur një jetë!

Nga Blendi Fevziu 


E dinin që gjithçka kishte mbaruar, por kishin frikë ta besonin!
Hidhnin në fushë vështrimet e ankthshme thuajse prisnin që nga
momenti në moment të ndodhte kthesa e dhimbshme. Ajo që na
kishte ndëshkuar 3 ditë më parë në Elbasan Arena, ajo e ndeshjes me
Portugalinë, histori që përsëritej e përsëritej prej dekadash. Fataliteti i
momentit të fundit. Prisnin golin kundërshtar dhe thuajse qenë mpirë
nga forca e traditës, që kishte qenë për vite e vite kaq e
pamëshirshme me ne. Shihja se si tifozët e paktë shqiptarë
kontrollonin orën, se si llogarisnin minutat dhe thuajse nuk besonin
më se tashmë ajo që prisnin prej vitesh kishte ardhur. Po shkonte ora
10 e mbrëmjes në stadiumin e Jerevanit dhe dy grupe me të njëjtin
qëllim po jetonin emocione të pabesueshme. Futbollistët në fushë dhe
tifozët në shkallët e stadiumit.

Të parët ishin të qetë. Profesionistë, të pa ngarkuar me shumë histori,
me një vështrim të akullt dhe me një përqëndrim që më kishte
impresionuar në pushim kur i pashë nga afër. Kisha bindjen se ata
besonin. Futbollistë klubesh të mira, shumica të lindur ose të rritur në
perëndim, ata pak kishin të bënin me fatalitetin që kish shoqëruar për
shumë vite ngjyrat kuq e zi. Për ta kjo ishte një garë dhe në garë
kishin bindjen se një ditë do fitonin.
Të dytët përcillnin gjithë shqetësimin e një vendi që nuk ishte ngjitur
kurrë në një podium nderi në arenën e futbollit. Ishin po ata që kisha
parë që fëmijë në shkallët e stadiumit, po ata me të cilët kisha shfryrë
sa herë trishtimin e humbjeve zinxhir dhe po ata që në ditë të mira
dhe të këqia qenë ulur në po ato shkallë të betonta të Qemal Stafës,
duke thirrur parullën e thatë që thuajse nuk përdoret më: Para
Shqipëria!
Në fakt Shqipëria nuk bënte dot para. Rropatej në të përpjetën e ca
minutave të mira, të ca sulmeve entuziste dhe e mbyllte e fundit në
grup, ose në ndonjë rast fatlum e dyta nga fundi.
Ky ishte sezoni i parë që ne realisht shpresonin. Një prej disa sezoneve
që gjërat kishin ndryshuar, por sic ndodhte gjithnjë në ndeshjet e
dikurshme, ishte rikthyer sindroma e minutës së fundit. Kishim
humbur një ndeshje me Portugalinë në shtesë, një tjetër me Serbinë
po në shtesë dhe në fund, rrezikonim që ky fatalitet, të na linte
minutën e fundit jo jashtë një ndeshje, por jashtë një kompeticioni ku
dukej se kishim hyrë me një këmbë. Dhe që po hynim për herë të
parë në histori.
Të shtunën ndërsa avioni me ekipin kombëtar po nisej nga aeroporti i
Rinasit, kisha pyetur veten nëse futbollistët e kishin kaluar traumën e
ndeshjes së Elbasanit. Dukeshin të heshtur, pa shumë gjallëri dhe
thuajse nuk komunikonin me askënd. Nuk kisha besuar kurrë në
bestytnitë, por befas nisa të kërkoj shenja që na jepnin shpresën.
Vura re se avioni që udhëtonim ishte po ai që ishim kthyer nga
Beogradi më 14 Tetor 2015; që në cantë kisha marrë me vete po atë
këmishë qa mbaja në stadium atë natë dhe që pjesa më e madhe e
tifozëve ishin po ata. Ai grup që e ndiqte ekipin kombëtar kudo. Pjesa
më e madhe e tyre më sqaruan që kishin menduar njëlloj si unë,
madje disa qenë ulur në të njëjtat vende ku kishin qenë në kthim nga
Beogradi. Të tjerë, kishin harxhuar thuajse gjysmën e ditës së tyre
para ndeshjes për të ndezur qirinj në një kishë të shenjtë buzë Malit
Ararat, nja 50 km nga Jerevani, ndërsa dy të tjerë duke respektuar
traditën Armene kishin blatuar madje edhe një gjel me shpresën se do
sillte fat.
Pjesa tjetër qenë ulur në hollet e Hotel Ruajal Tulip, më shumë se sa
në gjuatje të fotove me futbollistët, në përgjim të shenjave nëse
armenët do ishin neglizhentë me ndeshjen apo do ndesheshin ashpër
në fushë edhe tani që i kishin humbur të gjitha. Lajmet ishin
kontradiktore. Shtypi armen ishte i ftohtë ndërsa Presidenti i
Federatës së tyre e anashkaloi drekën tradicionale përpara ndeshjes.
Një prej tifozave pranë meje më sqaroi se kjo ishte shenjë e keqe.
Sipas tij Armenia kishte premtuar të ndihmonte Danimarkë. Ndërsa
një tjetër më tha se ata nuk kishin ndërmned të përplaseshin aspak
në fushë. Atmosfera ishte e vagullt dhe gjithë qyteti ishte derdhur në
shesh në festimet e 1700 vjetorit të shtetit të parë Armen. Thuajse
3000 vetë mbërritën në stadium, të veshur me fanelat e tyre dhe me
një banderolë që i uronte ekipit të tyre fitore. Lajmet e fundit dhe me
gjasë të besueshme flisnin për një presion që vinte nga qarqe ruse
dhe që i kërkonte Armenisë të bënte një betejë të ashpër. Vetë
trajneri armen nuk dukej edhe kaq i motivuar. Në konferencë shtypi
deklaroi se edhe humbja mund të ishte normale sepse ekipi i tyre nuk
kishte asgjë për të fituar. Por ai shpresonte që do ta mbyllnin pozitivisht këtë ndeshje të fundit. Në stadium situata u bë edhe më e nderur kur një grumbull bodigardësh nisën të zbresin në dy anët e tribunës qëndrore.
Presidenti i Armenisë kishte mbërritur në stadium për të parë ekipin e
tij dhe kjo nuk premtonte asgjë të mirë për ne. Loja nuk kishte nisur
ende, kur në një cep nisën të dëgjohen thirrjet: Shqipëri, Shqipëri.
Një grup tifozësh shqiptarë, thuajse 50 vetë, shumica nga Londra,
kishin mbërritur në stadium dhe po dominonin atmosferën me thirrjet
e tyre. Pata një moment ngjethjeje. M’u duk vetja aq i vetmuar dhe
aq larg atmosferës së ca ditëve më parë në Elbasan. Shqipëria po
luante ndeshjen më të rëndësishme të historisë së saj; ndeshjen që do
ta çonte drejt elitës së futbollit europian. Dhe ai grup tifozësh, ktheu
befas situatën. U ndjeva mirë, dhe besova. Nuk na u desh të presim
shumë. Goli i parë. Pastaj i dyti. Pastaj pushimi. Fillova të ndjeja
drithërima që më kalonin duke përsëritur po atë pyetje. Po sikur ta
pësonim në minutat e fundit?! Pastaj erdhi goli i tretë. Llogjika më
thoshte që tashmë nuk ndodhte më kurrë. Por pjesa racionale brenda
meje mbytej nga ankthi që më kish shoqëruar një jetë. Isha futur në
pistë ndërkohë. Dëgjoja kërcitjen e topit që përplasej me një tingëllim
krejt tjetër nga ai që kisha dëgjuar gjithë jetën në shkallët e
stadiumit. Kisha bashkuar duart padashje. Nuk e di pse po mendoja
momentet e para që isha emocionuar ashtu. Mbase një dite të vitit
1980 kur Shuster shënonte dy herë për Gjermaninë në portën e Jani
Kaçit; mbase një ditë stërvitje të Gjermanisë në 1983 kur stadiumi që
mbushur më shumë se sa në një ndeshje ndërkombëtare futbolli
vetëm për të parë Rumenigen; mbase ca ndeshje me Finlandën dhe
Austrinë. Pastaj ndeshjen me Belgjikën, atë që brezi im nuk e harron
kurrë. M’u kujtuan heronjtë e fëmijërisë sime, ata futbollistë që luanin
me fanelat kuq e zi, kur këta djem që ishin në fushë nuk kishin lindur
ende. Por që sot, kishin marrë mbi krahë një ëndërr që ata as guxonin
ta mendonin, kualifikimin. Nuk pata kohë të mendoja më gjatë. E
kisha ndjekur topin me sy pa asnjë vëmendje në monentet e fundit.
Dëgjova thirrje, brohoritjet e atyre pak vetave që qenë aty dhe renda
edhe vetë në fushë. Futbollistët po festonin. Ishte një festë e
çmendur, një fetsë që isha i bindur se qe dhjetra herë më e fuqishme
në rrugët e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Ulqinit dhe me siguri Bazelit,
qytetit prej nga vinte shumica e lojtarëve të ekipit tonë kombëtar.
Gjithçka që ndodhi më pas ishte e pabesueshme. Ishte e
pabesueshme pikërisht sepse e pabesueshmja kishte ndodhur. dhomat
e zhveshjes ushtonin nga kënga e lojtarëve. Tifozët e paktë qenë
mbledhure në dalje; të tjerë çekonin rrjetet socialë për të verifikuar se
ku ishte festa. Euforia jonë binte ndesh me nje indiferencë totale të
armenëve. Nuk e di sa ndenjëm në stadium, por pak minuta më vonë,
hoteli u pushtua krejt nga Shqiptarët. Alban Bushi u hodh në një nga
shatërvanët përballë tij duke fituar vëmendjen e dhjetra armëve që
bënin foto dhe video. Në holl, një afrikane m’u afrua dhe më pyeti me
xhentilesë nëse e dija ku ishte trajneri. Sot në mëngjes i urova atij
fat, më tha, por nuk e dija cfarë ekipi ishit. Unë vetë jam Senegaleze.
I shpjegova se sapo kishim fituar një ndeshje, që për ne do të thoshte
histori. Gruaja më vështroi gjithë admirim dhe u entusizmua akoma
më shumë nga një këngë ditëlindje. Kishte hyrë data 12 dhe Ansi
Agolli festonte 33 vjetorin e tij. Ishin të gjithë rreth tij.
Në mbrëmje vonë qenë shpërndarë të gjithë nëpër holl. Lojtarë, tifozë,
të qetë apo entuziastë. Dola të eci pak rrugëve tashmë të shkreta.
Gjurmët e festës së 1700 vjetorit të shtetit armen qenë aty. Më dukej
sikur qenë bashkuar me festën tonë, modeste. Isha i bindur që ai
qytet që thuajse kurrë s’më kishte thënë asgjë, ishte lidhur tashmë
fort me historinë e futbollit tonë. Isha i bindur që sa herë biseda të vij
rreth ekipit kombetar, do ta them gjithnjë me një lloj kënaqësie të
papërmabjtur: po, unë kam qenë atë natë në Jerevan! Natën e
Shqipërisë!

Yerevan 12 Tetor 2015



Ju sugjerojmë

Trump i plotëson dëshirën, pret familjen shqiptare në Zyrën Ovale
Bota

Trump i plotëson dëshirën, pret familjen shqiptare në Zyrën Ovale

24 Maj, 2025 7:15 pm
Taulant Xhaka tërhiqet nga futbolli, tifozët i kushtojnë koreografi të veçantë
Kryesore

Taulant Xhaka tërhiqet nga futbolli, tifozët i kushtojnë koreografi të veçantë

24 Maj, 2025 6:56 pm
SHBA-ja dhe Irani: Kemi shënuar përparim të kufizuar në bisedimet bërthamore
Bota

SHBA-ja dhe Irani: Kemi shënuar përparim të kufizuar në bisedimet bërthamore

24 Maj, 2025 6:41 pm
Gjermania për Kosovën: Rëndësi jetike për ne dhe NATO-n
Rajoni

Gjermania për Kosovën: Rëndësi jetike për ne dhe NATO-n

24 Maj, 2025 6:14 pm
I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë
Aktualitet

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë

24 Maj, 2025 6:03 pm
Tarifat e Trump/BE:Tregtia dypalëshe të udhëhiqet nga respekti , jo me kërcënime
Bota

Tarifat e Trump/BE:Tregtia dypalëshe të udhëhiqet nga respekti , jo me kërcënime

24 Maj, 2025 5:54 pm
Gjirokastër/ Vetëvrasja e të miturit, reagon Prokuroria: Nuk ka indicie për bullizëm nga bashkëmoshatarët
Aktualitet

Infektohen me salmonelë fëmijët e një kopshti në Gramsh

24 Maj, 2025 5:17 pm
Vula e Partisë Demokratike, Apeli: Më 3 mars shqyrtohet çështja
Aktualitet

PD ankimon rezultatin në Kukës, kërkon pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve

24 Maj, 2025 5:11 pm
Incidenti në veri, Serbia lëshon fletë arresti për policin e Kosovës
Rajoni

Incidenti në veri, Serbia lëshon fletë arresti për policin e Kosovës

24 Maj, 2025 4:49 pm
Begaj takon zv/sekretarin e Shtetit të SHBA: Mirënjohës për mbështetjen e palëkundur
Aktualitet

Begaj takon zv/sekretarin e Shtetit të SHBA: Mirënjohës për mbështetjen e palëkundur

24 Maj, 2025 4:36 pm
Para
Olta Gixhari kujton verën seksi

Olta Gixhari kujton verën seksi

Kapet italiani, transferoi 1 mld lekë për 3 ditë

Kapet italiani, transferoi 1 mld lekë për 3 ditë

Këshilla praktike për lëkurën në vjeshtë

Këshilla praktike për lëkurën në vjeshtë

Please login to join discussion















TE FUNDIT

Trump i plotëson dëshirën, pret familjen shqiptare në Zyrën Ovale

Trump i plotëson dëshirën, pret familjen shqiptare në Zyrën Ovale
24 Maj, 2025

Në një takim të veçantë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump ka pritur familjen shqiptare...

Lexo më shumë

Taulant Xhaka tërhiqet nga futbolli, tifozët i kushtojnë koreografi të veçantë

Taulant Xhaka tërhiqet nga futbolli, tifozët i kushtojnë koreografi të veçantë
24 Maj, 2025

Taulant Xhaka ka vendosur të tërhiqet nga futbolli dhe ka dhënë lamtumirën e tij teksa ka luajtur ndeshjen e tij...

Lexo më shumë

SHBA-ja dhe Irani: Kemi shënuar përparim të kufizuar në bisedimet bërthamore

SHBA-ja dhe Irani: Kemi shënuar përparim të kufizuar në bisedimet bërthamore
24 Maj, 2025

Raundi i pestë i bisedimeve bërthamore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit përfundoi në Romë me shenja të përparimit të...

Lexo më shumë

Gjermania për Kosovën: Rëndësi jetike për ne dhe NATO-n

Gjermania për Kosovën: Rëndësi jetike për ne dhe NATO-n
24 Maj, 2025

Veç dy javë pasi që u bë kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz dhe qeveria e tij morën një vendim që...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com