Te Fundit

20 vjet nga zhdukja e Remzi Hoxhës, familjarët peticion Qeverisë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:14 - 14/10/15 |
b.f

SHKUP- Kanë kaluar 20 vite nga zhdukja e biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha i cili në atë kohë (1995) jetonte në Tiranë. Familjarët që kanë ndjekur një kalvar të gjatë gjyqësor në Shqipëri por që s’kanë gjetur drejtësi vazhdojnë ta kërkojnë. Kërkojnë dënimin e autorëve por edhe gjetjen eshtrave të njeriut të tyre. Thirrja e tyre kësaj radhe shkon për ministrin e Brendshëm dhe kreun e Gjykatës së Lartë.

Letra e hapur drejtuar ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori

Plot 20 vjet më parë u vra dhe u zhduk kufoma veprimtarit patriot me origjinë nga Kaçaniku i Kosovës, i lindur në Shkup, Remzi Hoxha. Vrasja e Remziut në territorin e Shqipërisë nuk ishte një krim ordiner. Remziu ishte një veprimtar i njohur për kontributin e tij në favor të luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës dhe jo thjesht një ndërmarrës i suksesshëm në Kosovë që kishte zhvendosur biznesin e vet në Shqipëri. Remziun nuk e vrau dhe zhduku dikush për ndonjë hasmëri personale, por e zhduku SHIK-u, shërbimi sekret i kohës, udhëhequr zyrtarisht nga Bashkim Gazidede, por realisht nga Presidenti i atëhershëm Sali Berisha. Këto dy elementë e bëjnë vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, një vrasje shtetërore. Ajo nuk është as vrasje për “raison d’etat”, për arsye shtetërore. Për arsye shtetërore, Remziu 39 vjeçar duhej të mbështetej, sepse Shqipëria kishte detyrimin të mbështeste luftën çlirimtare të Kosovës, veprimtarët e saj dhe Remziu ishte njeri ndër më kryesorët siç provohet nga shumë burime.

Të gjithë këto pohime për autorët e vrasjes, rrethanat e këtij krimi monstruoz, janë bërë të njohura gjyqësisht, falë punës vetëmohuese të një heroi të shtetit shqiptar, që vdiq parakohe, prokurorit Xhevat Hana. Vrasësit materialë dihen, ashtu dhe frymëzuesit e këtij krimi unik në historinë e pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Dy prej tyre u liruan nën presionin shtetëror, ndërsa njeri prej tyre, Ilir Kumbaro, mundi t’i shpëtonte drejtësisë britanike që duhej ta ekstradonte.

Sot çështja penale në ngarkim të Kumbaros prej vitit 2013, gjendet në Gjykatën e Lartë dhe asgjë nuk dihet, asgjë nuk lëviz që krimineli të përfundojë përjetësisht pas hekurave. Shteti shqiptar, Ministria e Brendshme që duhet të formalizojë kërkesën pranë Interpolit që Ilir Kumbaro të kërkohet botërisht, nuk e ka bërë këtë kërkesë çuditërisht. Por mbi të gjitha veç vendosjes së drejtësisë formale, duhet të vendoset drejtësia morale. Ky veprimtar patriot për të cilin dihet shumë pak, duhet të prehet në një varr, ku familjarët e tij, miqtë e tij, brezat e rinj të kenë mundësi të vendosin një tufë me lule.

Armiku kryesor, që po vret shpresën që Remzi Hoxha të ketë një varr, është koha. Provat zhduken. Afate të caktuara treten. Kujtesa popullore rreth bëmave të tij gjithashtu zvogëlohet. Kriminelët që dinë, që urdhëruan arrestimin e tij, dhunimin e tij, që e heshtën zhdukjen e tij, kanë patur mundësi të rishpikin veten. Qeveritë që i zënë vendin njera tjetrës merren me punët rutinë dhe harrojnë vendosjen e drejtësisë për një krim unikal në historinë e pluralizmit shqiptar.

Për ne familjarët e Remzi Hoxhës, për ne bashkëveprimtarët e tij, e gjitha kjo është një vrasje e dytë e tij.

Për të gjithë këto arsye, bashkohu me ne që Qeveria Shqiptare, që Gjykata e Lartë, që Ministria e Brendshme të bëjnë punën e tyre. Nëse ato e bëjnë saktësisht punën e tyre, atëherë prindi ynë, i afërmi dhe miku jonë do të kenë të paktën një varr. Dhimbja jonë do lehtësohet sadopak për këtë krim të pakuptimtë shtetëror ndaj dikujt që duhej të mbrohej dhe jo të asgjësohej.

KOMENTO (1)

Shkruaj nje koment

  1. Zaganjori eshte nje zagar i sali malokut,prandaj mos prisni te bëj diçka per ju familjen e te ndjerit Remzi Hoxha.Remziu ishte nje patriot shqipetar qe punonte e luftonte per lirine dhe pavaresine e shqipetareve ne ish Jugosllavi dhe ne e dijme kete gje.Por sali legeni ky tradhetar e batmçi ishte i rekrutuar nga UDB-ja dhe i sherbente e I sherben serbeve armiqeve te kombit tone.Edhe ate surratmutin qe torturoi e zhduku babain dhe prindin e mire R Hoxha ishte ketu ne Londer,por duart e saliut ndoshta e zhduken ate qelbesire.Mos i reshtni perpjekjet gjer ne gjykaten e te drejtave te njeriut ne Strasburg.
    Me respekt e mirnjohje perkulem para vepres se Remziut.I paharruar kujtimi i tij te nderuar familjare te R Hoxhed

Pas