Akuza vjen në ditën kur Parisi pret presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderët e koalicionit të të ashtuquajturve “Të Vullnetshmit” për një takim, si dhe në prag të paradës ushtarake të 14 korrikut, e konceptuar si një demonstrim i unitetit evropian përballë kërcënimit rus.
Qeveria franceze ka denoncuar një sulm të ri hibrid të kryer nga Moska në nivel evropian. Sipas Parisit, bëhet fjalë për një “fushatë të gjerë kibernetike me qëllime sabotimi dhe spiunazhi”, e cila ka goditur rreth dhjetë vende, përfshirë edhe Francën.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, bëri të ditur se ambasadori rus në Francë, Alexeï Mechkov, do të thirret në Ministrinë e Jashtme franceze për një protestë zyrtare. Edhe Gjermania njoftoi se ka thirrur ambasadorin rus. Parisi po përgatitet gjithashtu të vendosë sanksione ndaj nëntë personave dhe katër entiteteve që konsiderohen përgjegjës për operacionin, i cili i atribuohet drejtpërdrejt FSB-së, Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë.
“Këto janë operacione që kanë në shënjestër ministri, kompani dhe operatorë të ndryshëm”, deklaroi Barrot, duke sqaruar se objektiv i sulmit ishin infrastrukturat strategjike. Mes objektivave të sulmit kibernetik në shkallë evropiane ishte edhe sistemi hekurudhor, veçanërisht në Poloni, ku u regjistrua një përpjekje për të sabotuar infrastrukturën dhe për të bllokuar qarkullimin e trenave.
Qeveria franceze bashkëpunon prej kohësh me disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Poloninë, në konsorciumin “Viginum”, një shërbim shtetëror i lidhur me Sekretariatin e Përgjithshëm për Mbrojtjen dhe Sigurinë Kombëtare, i ngarkuar me identifikimin dhe analizimin e ndërhyrjeve të huaja digjitale që synojnë të ndikojnë në debatin publik. Ndërkohë, mbrojtja teknike e sistemeve informatike i është besuar Agjencisë Kombëtare për Sigurinë e Sistemeve të Informacionit (Anssi).
Barrot theksoi efektivitetin e këtij mekanizmi të dyfishtë, duke përmendur veçanërisht punën e Viginum në mbrojtjen e zgjedhjeve të fundit administrative nga fushatat e dezinformimit.
Zelensky ndodhet sot në Paris për një takim të ri të koalicionit të “Të Vullnetshmëve”, ku do të diskutohet, në veçanti, për krijimin e një mburoje balistike evropiane dhe për stërvitjet e mundshme të forcës shumëkombëshe që mund të dislokohet pas një armëpushimi të mundshëm. Samiti do të pasohet nga një darkë në Pallatin Élysée me presidentin francez Emmanuel Macron dhe liderët e tjerë.
Presidenti ukrainas do të jetë gjithashtu i ftuari i nderit në paradën tradicionale ushtarake në Champs-Élysées, e cila këtë vit i kushtohet “zgjimit strategjik të Evropës”. Ushtarët ukrainas dhe trupat e vendeve të koalicionit, përfshirë Italinë, do të hapin paradën./ Corriere della Sera














