27 persona humbën jetën dhe mbi 60 të tjerë mbetën të plagosur, tetë prej tyre në gjendje kritike, pasi një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një bar në Bangkok të Tajlandës gjatë natës të së dielës.
Sipas autoriteteve, flakët shpërthyen pranë skenës së lokalit “Rong Beer Na Lat Phrao”, në lagjen Chatuchak, dhe u përhapën me shpejtësi në të gjithë ambientin. Dëshmitarët thanë se energjia elektrike u ndërpre menjëherë, ndërsa tymi i dendur mbushi lokalin, duke shkaktuar panik mes klientëve.
Zjarrfikësit mbërritën pak pas mesnatës dhe arritën ta vinin zjarrin nën kontroll brenda rreth 30 minutash. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, shumica e viktimave u gjetën në tualetet e lokalit, ku besohet se ishin strehuar për t’u mbrojtur nga flakët dhe tymi.
Hetimet paraprake të Departamentit të Parandalimit të Fatkeqësive në Bangkok kane deklaruar se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik në një kondicioner. Megjithatë, autoritetet theksojnë se shkaku zyrtar do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të ekspertizës.
Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, i cili vizitoi vendin e ngjarjes, tha se një muzikant që po performonte në momentin e shpërthimit të zjarrit i kishte treguar se fillimisht u dëgjuan disa shpërthime, e më pas lokali u mbush me tym dhe flakë. Sipas tij, shumë prej viktimave u drejtuan drejt pjesës së pasme të ndërtesës dhe u strehuan në tualete, por nuk arritën të dilnin në kohë.
Ndërkohë, guvernatori i Bangkokut, Chatchart Sittipunt, tha se materialet dekorative të ndezshme në tavan mund të kenë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Ai shtoi se pranë daljes së emergjencës janë gjetur disa persona pa ndjenja, çka ngre dyshime se evakuimi mund të jetë penguar.
Autoritetet kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e tragjedisë.














