Mbipopullim, mungesë personeli dhe kushte denigruese. Kjo është panorama në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shënkoll të Lezhës, ku trajtohen personat ndaj të cilëve është caktuar masa e mjekimit të detyrueshëm.
Alarmi është ngritur nga Avokati i Popullit, pas një inspektimi të zhvilluar në këtë institucion. Sipas gjetjeve, numri i personave të akomoduar është rreth dyfishi i kapacitetit, ndërsa mungesa e kushteve dhe e stafit mjekësor cenon rëndë trajtimin dhe të drejtat e tyre.
Avokati i Popullit i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjnë menjëherë për përmirësimin e situatës, duke e cilësuar të papranueshme gjendjen në këtë institucion.
Edhe komisionerët pranë Avokatit të Popullit kërkuan që IEVP Shënkoll të funksionojë si një strukturë e mirëfilltë spitalore, me infrastrukturën, personelin dhe standardet e nevojshme për trajtimin e personave me masa mjekësore.
Institucioni i Shënkollit mori funksionin e trajtimit të personave me masa mjekësore pas mbylljes së institucionit të Zaharisë në Krujë. Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, problematikat e evidentuara prej vitesh vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Shqetësimet për kushtet në këtë institucion janë evidentuar edhe në raportin vjetor të vitit të kaluar të Avokatit të Popullit, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e tyre.

















