Aktualitet

PS tërhiqet, Prokuroria mund të arrestoje deputetët pa paraqitur prova


               Publikuar në : 13:35 - 11/07/19 |
Al Do

Partia Socialiste ka tërhequr propozimin për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit që bënte të detyrueshme për prokurorinë paraqitjen e provave në rast se kërkonte të arrestonte një deputet.

Kjo nismë ishte propozuar në janar të 2018 nga Taulant Balla, por ka qenë ky i fundit që e ka tërhequr atë në seancën e fundit të komisionit të ligjeve. Kjo ishte një nga çështjet më të debatuara në kohën kur Prokuroria kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në atë kohë deputetët e PS kërkuan paraqitjen e provave dhe nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij megjithëse në ndryshimet kushtetuese të 2012, deputetët nuk gëzojnë më imunitet dhe mund të jenë subjekt i arrestimit nga Prokuroria.

Gjatë diskutimit në komisionin e ligjeve, kreu i tij, Ulsi Manja, tha se nisma është tërhequr për të shmangur debatin politik. “Kur të paraqitet një rast i tillë, do t’i referohemi kushtetutës”, tha ai. Por kjo tërheqje erdhi vetëm pasi tashmë ndaj Saimir Tahirit ka nisur procesi gjyqësor. Përse deputetët e mazhorancës nuk ju referuan kushtetutës në kohën kur kërkohej arrestimi i Tahirit dhe zgjedhin ta bëjnë atë tani?

Një ndryshim tjetër që i është bërë rregullores së Kuvendit ka të bëjë me kuorumin e nevojshëm për të nisur seanca plenare. Momentalisht  numri i nevojshëm për të nisur seanca është 71 deputetë, pra mbi 50%, ndërsa me ndryshimin e bërë do të mjaftojnë 15 deputetë në sallë, pra mbi 10%. Ky ndryshim u kundërshtua nga deputetë të opozitës dhe Bashkim Fino i cili e quajti atë një “nen për gjumashët”.

Seanca e komisionit të ligjeve vendosi gjithashtu që të miratojë propozimin që diskutimet gjatë seancave plenare të mos jenë më të gjata se sa 10 minuta për deputet. Vendimi u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët u ankuan se po i hiqen të gjitha të drejtat. /Opinion.al

Pas