Aktualitet

Pezullimi i Mynyr Konit, dekanët: Vendim i duhur


               Publikuar në : 12:05 - 15/04/19 |
eri on

Pas vendimit për pezullimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, katër Dekanët Artur Sula, Edmond Rapti, Artan Hoxha dhe Dhori Kule të këtij universiteti kanë bërë një deklaratë për mediat. Ata e kanë kërkuar shkarkimin e tij edhe në shkurt të vitit 2018.

Dekanët kanë mbrojtur vendimin e Ministrisë së Arsimit, madje duke shtuar se një vendim i tillë është i vonuar. Në fjalën e tij, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha, tha se ligji i ri i arsimit të lartë përcakton se drejtuesi i një institucioni publik mund të pezullohet me urdhër të ministrit, kur shihen shkelje të dukshme të ligjit. Ai gjithashtu shtoi se ka mbi një vit që punohet për dokumentimin e këtyre shkeljeve.

“Kjo tregon se sa interes ka për arsimin e lartë në përgjithësi dhe ecurinë e një institucioni si Universiteti i Tiranës. Në këto vite të fundit ka pasur një problem të rëndë të administrimit institucional, ku drejtimi i universitetit ka qenë i një mentaliteti të vjetër, pa zbatuar kompetencat dhe deklarimet kushtetuese se si funksionon institucioni i arsimit të lartë, i cili është autonom”, ka thënë Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha. Ai shtoi se përpara se përplasjet me Mynyr Konin të bëheshin publike, ka pasur vazhdimisht konflikte të brendshme në universitet.

“Protesta e studentëve kërkoi zgjidhje për problemet, por këtë e ka mbajtur peng politika, komentet politike, ndërhyrjet politike e kanë rënduar situatën. Vlerësoj faktin se Ministrja e Arsimit nuk është pjesë e sjelljes politike, është më e ftohtë në vlerësimin tim, ka marrë një vendim eficent. Përveç shkeljeve që kemi konstatuar, janë edhe shkelje që lidhen me projektet evropiane. Situata do të shkojë jashtëzakonisht pozitivisht për Universitetin e Tiranës. Pedagogët dhe studentët do të shohin se sa lehtë dhe pozitive është që institucioni që i thotë të tjerëve si të sillen, sillet vetë ashtu në fillim. Heq pengesën ligjore dhe ngërçin që Universiteti i Tiranës ka pasur këto kohë”, tha Dhori Kule, Dekan i Fakultetit Ekonomik./Opinion.al

Pas