Nga Gazmend Aga
Të urtët na mësojnë ti bëjmë vetes një pyetje çdo natë; ç’bëre sot për Zotin? Pra a ke bërë ndonjë vepër gjatë ditës veç për të fituar kënaqësinë e Zotit, a ke gëzuar njerëz, a ke ndihmuar ndonjë të varfër etj?
Nuk do pyes sot se ‘çke bërë për Atdheun’, për të mos prishur atmosferën festivo-konsumatore, por mendoj se duhet edhe pak reflektim rreth gjendjes sonë aktuale si shoqëri. Feja këtë dimension i jep festave. Përveç gëzimit që karakterizon një festë, kërkohet edhe falenderimi, reflektimi dhe vendosmëria për të sjellë ndryshime pozitive në jetën individuale dhe atë kolektive.
Mendoj se çdo punë e mirë me qëllim përfitimin komunitar, mund të quhet lehtësisht atdhedashuri. Mendoj se duhet të gjykojmë realisht atdhedashurinë tone përsa i përket sakrifices së përbashkët në shoqërinë civile siç mund të përmendim arsimimin e edukimin e brezave.
Nëse e ndajmë patriotizmin nga nacionalizmi, është mëse normale që ne si Shqiptarë të ndihemi krenar për vlerat tona të përftuara prej shekujsh, për besën, mikpritjen, tolerancën etj. Nga ana tjetër duhet një reflektim kritik edhe ndaj kësaj krenarie ‘apriori’ që ndoshta më shumë vjen si trashëgim se sa një jetësim real koherent. Asnjë vlerë nuk është stabile, por dinamike; mund ta humbësh por edhe ta thellosh më shumë. Sot mund të jemi njerëz të besës, siç kemi qenë, por mund të na karakterizojë edhe mosmbajtja e fjalës. Mund të jemi edhe më tolerantë se ç’kemi qenë, por ndoshta edhe jemi fanatikë të ideologjisë politike e fetare dhe jemi gati të shqyejmë njëri tjetrin. Mund të jemi të ndershëm, siç kemi qenë, por ndoshta edhe korrupsioni, ryshfeti dhe mospagimi i taksave eshtë fenomen i gjera sa nuk mund të shperfillet, etj.
Sipas Simon Keller, patriotizmi nuk duhet të kthehet në një vegël të politikës për të mobilizuar masat, ose për t’i bërë makiazh problemeve të mundshme të një vendi.
Ndoshta është pikërisht ky këndvështrim që shtyu klerin tonë para një shekulli, hoxhallarë e priftërinj, të ishin pjesë e të gjitha zhvillimeve të mëdha kombëtare. Kombi do sakrificë, punë, altruizëm. Mbi të gjitha kombi kërkon një qytetar me vlera, ose me gjuhën e fesë; një besimtar dinamik që kontribuon e sakrifikon për vendin.
Eshtë pozitive që ka një rritje të ndjenjës së patriotizmit dhe këtë e shohim te të rinj e të reja të cilët gëzojnë e shpresojnë për një të ardhme të mirë të vendit tonë.
Ku u ëndërrua të ishim e ku jemi, Ç’halle ka bota e zhvilluar, e ç’halle kemi ne, Ç’vlera mendojmë se kemi, e ku jemi në të vërtetë. Nëse ardhmëria e nje vendi mund të shihet qartë në gjendjen e rinisë, ç’na pret pas 20-30 viteve, Perse u dha jeta për këtë vend, e si po i dilet për zot sot, Dhe në fund; pse kemi akoma kaq të varfër, kaq shumë ndasi dhe kaq shumë kriza të ndryshme sociale në shoqëri?
Gjithsesi, une jam shpresëplotë se një e ardhme më e mirë na pret dhe falenderoj Zotin i përlotur që jemi të lirë e të pavarur per te jetu te shenjtat tona. Gëzuar!
Gazmend Aga Imam, Komuniteti Mysliman Shqiptaro Amerikan