-U tha në Opinion

Mjeku personal i Hoxhës: Nexhmija kishte frikë! Nëse gabonte e vriste


               Publikuar në : 23:16 - 11/09/19 |
xhu lia

Profesor Isuf Kalo mendon se nëse nuk do të kishte ndodhur fejesa e djalit të Mehmet Shehut, ky do të zinte vendin e Enver Hoxhës. Në emisionin Opinion, ai tha se diktatori dhe Mehmet Shehu nuk kishin miqësi mes tyre.

“Unë mendoj që Mehmeti e kishte adhurim Enverin, ça ndodhi me ta është historia që ndodhi. Ai dyshonte se Mehmeti e bëri me qëllim fejesën. Enveri krijoi një dyshim se Mehmeti nuk e kishte bërë kot këtë, i kishte dhënë dhe një opsion që ta mohonte djalin e tij. Ai tha jo, djali nuk ka faj. Djalin e kam unë. Kjo këmbëngulje i lindi dyshimin Enverit”,-tha mjeku Isuf Kalo, duke theksuar:  “Sikur të mos ndodhte kjo fejesa e djalit, Mehmeti do ishte 200 përqind pas Enverit. Megjithëse kjo mund të mos ishte dëshira e Nexhmije Hoxhës”.

Por cili ka qenë roli i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, sipas mjekut personal të Enver Hoxhës?

“Ramiz Alia ishte si djali i Enver Hoxhës, shumë i afërt me Enver Hoxhën. Ishte më i kulturuar, më i butë.  Ai gjithë jetën nuk merrte vendime, ishte zbatues. Këtë mund të them unë si kritikë për të.  Ai nuk ishte i prerë për të qenë lider. Kur mori pushtetin ai kishte pushtet absolut, ai nuk kushtëzohej nga Nexhmije Hoxha. Të dy ishin njësoj, ecnin me sy ulur. Kishin hall mos binin në ndonjë dërrasë të kalbur. Nexhmije Hoxha nuk e përjashtonte që Enveri mund ta sikteriste nëse bënte ndonjë gabim. Ajo nuk donte të luante rolin e institucioneve. Ajo ka ndihmuar në dy-tre raste, po e ka bërë në rrugë jo zyrtare.

 Nexhmija ishte një person që ka pas brumë shumë të mirë kur ka qenë e re. Por lidhja me Enver Hoxhën e bëri që ajo humbi personalitetin e saj, humbi aftësinë për t’ju vënë kundër.  Për herë të parë theu një qëndrim të Enver Hoxhës kur priti Nënë Terezën”.

Mjeku personal i Enver Hoxhës po ashtu mendon se ajo nuk është përgjegjëse për ato që ka bërë Enver Hoxha.

“Njerëzit hamendësojnë që Nexhmija ndikonte tek ai. Nuk ka dalë ndonjë fakt që këtë vendim e propozonte ajo. Ajo po ta thoshte Enveri e zbatonte me sy mbyllur. Njerëzit i kanë dhënë asaj një cilësi që nuk e ka”.   Detaje interesante, që janë dhe në librin “Blloku, mjeku personal i Enver Hoxhës” profesor Kalo dha dhe sa i përket jetesës në Bllok, në atë kohë.

“Për mua ishte jetë e trishtë. Ishte jetë frike. Ata i trembeshin njëri-tjetrit. Ato shtëpitë kishin ndërruar më radhë personazhe. Duket sikur dilnin fantazmat e tyre. Njerëzit njëri-tjetrin e shikonin me dyshim. Kishin ca favore, por të tjerët… jashtë bllokut kishte më shumë liri”./Opinion.al/

 

Pas