Kryesore

Meta kthen ligjin: Vetting-u në polici në dorë të pak personave


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:36 - 11/07/20 |
Opi Nion

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 74/2020 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”.

Në një njoftim të Presidencës, thuhet se sipas arsyetimit ligjor të bërë publik nga institucioni i Kreut të Shtetit: “Veçanërisht kur vendi pritet t’iu nënshtrohet edhe zgjedhjeve të përgjithshme, forcimi i këtij presioni përmes vlerësimit kalimtar (vetting-ut), bëhet akoma më i dëmshëm dhe i rrezikshëm për garantimin e paanësisë së forcave policore e për pasojë, tepër shqetësues. Kjo pasiguri e personelit policor është e pritshme dhe ka gjithë premisat që të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë procesit zgjedhor”.

Në arsyetimin e tij drejtuar kuvendit, ndër të tjera presidenti shprehet: Ligji nr. 74/2020, objekt shqyrtimi përmban në tërësinë e tij vetëm 3 nene, përfshi këtu dhe nenin 3 që përcakton momentin e hyrjes në fuqi të tij. Nga shqyrtimi i këtyre tre dispozitave rezulton se ligji paraqet problematikë të theksuar jo vetëm në raport me Kushtetutën, por edhe në formën se si ky ligj është zbardhur. Konkretisht konstatohen problematika në raport edhe me rregullat e teknikës legjislative.

“Ky ligj, i miratuar në mënyrë të nxituar, përmbante një gabim që në titullin e tij, titull i cili nuk reflekton vetëm një ndryshim dhe vetëm një shtesë që bëhen përmes tij në ligjin bazë nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, por titullohet si një ligj i ri.

Ky ligj synon heqjen e afatit të përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar, këtë herë edhe për drejtuesit e lartë të forcave policore dhe për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Ky shfuqizim i afatit, pa përcaktuar një afat të ri brenda të cilit duhet të përmbyllet vlerësimi kalimtar për kategorinë e drejtuesve të lartë në Policinë e Shtetit, në Gardën e Republikës dhe të punonjësve në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, përveçse nuk është në përputhje me qëllimin e vetë ligjit që u miratua si nevojë e një reforme prioritare në Policinë e Shtetit, ngjan më shumë me një “favor” që u bëhet këtyre drejtuesve, për të mos kaluar procesin e vetting- ut në këto momente, duke i kthyer ata automatikisht, të varur nga ky vullnet politik sot, dhe në shërbim të presionit politik nesër”, njofton Presidenca.

Në vijim të argumentit të tij, Presidenti thotë se me këto ndryshime që tentohen të bëhen, edhe vettingu i efektivëve të policisë  i lihet në dorë një pjesë të vogël personash.

“Me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 2019 dhe ndryshimet që tentohen të realizohen me ligjin nr. 74/2020 të kthyer për rishqyrtim, jo vetëm që shtyhet  procesi i rivlerësimit të trupës drejtuese, por edhe vetting-u i efektivëve të policisë tashmë i lihet në dorë një pjesë të vogël personash brenda Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që ka kaluar vetting-un. Kjo rrit edhe më shumë kontrollin politik të Ministrit të Brendshëm mbi këtë process”, deklaron Presidenca./Opinion.al

 

 

Pas