Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të premte në eventin e Edicionit të Tretë të Javës së Administratës Publike. Në fokus të këtij eventi është shërbimi publik për një Shqipëri Europiane.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë bëri edhe një koment për protestat, veçanërisht për atë të paradites para Kuvendit që u shoqëruan me akte dhune.
“Transformimi i administratës është një proces mjaft kompleks. Nuk bëhet fjalë për krijimin e mekanizmave që lidhen me shumë njerëz dhe po të kthehemi për një moment mbrapa dhe të kujtohemi se ligji i parë themelor i administratës sonë publike është aprovuar një dekadë më parë, atëherë ne mund të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Ndërkohë që në numrin e përgjithshëm të administratës kemi dhjetëra mijëra.
Ne kemi sot një kualitet të ri në administratën shtetërore, ne kemi sot një sfidë shumë të madhe përballë qytetarëve. Duke qenë se jemi në një moment specifik, intensiv, të rrugëtimit tonë si shoqëri, më lejoni që të sjell këtu një episod nga shumë episode që ne po përpiqemi të lexojmë protestën e bulevardit. Përveç shqetësimeve të qytetarëve që unë e quaj ujin e pastër të protestës, nën atë koren e zezë ku janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët. Në atë rrjedhë ka shumë për të mësuar”, tha Rama.















