Sociale

Me kosto rrjeti të ulët, shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë energjinë


               Publikuar në : 10:29 - 10/12/19 |
Al Do

Familjet shqiptare, në faturën finale të dritave, 62 për qind e paguajnë për energjinë, çka tregon për një kosto të lartë prodhimi apo sigurimi të saj dhe kalimin tek konsumatori final. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë publikoi një raport të fundit, ku ka bërë një ndarje të të gjithë zërave brenda faturës që paguan një familjar në vendet që janë pjesë e Komunitetit, ku Shqipëria mban edhe rekordin për çmimin më të kripur të energjisë. Sebia, nga ana tjetër, ka koston më të ulët me 33 për qind të saj në totalin e faturës së një konsuamtori.

Por duket se për vendin tonë, kompensimin deri diku e bën kostoja e ulët e rrjetit. Shqipëria renditet si vendi me koston më të lirë të rrjetit që i trasnmetohet një konsumatori familjar, ku në faturë ky aspekt zë 21 për qind, teksa në Kosovë kostot e rrjetit zënë 49 për qind. Taksat në faturë në vend cilësohen zero kurse Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i ndarë llogaritet se zë 17 për qind të faturave aq sa zë edhe në Malin e Zi dhe në Serbi.

Kjo llogaritje sipas sekretariatit është bërë për profilin e një konsumatori familjar që jeton në kryeqytet dhe që ka një konsum 3500 kwh në vit. Në analizë janë marrë muajt nëntor dhe dhjetor 2018.

Raporti vlerëson edhe situatën e furnizuesve në vend, duke nënvizuar se Shqipëria ka më shumë se 23 të licencuar prej saj, por peshën kryesore e mban furnizuesi publik që ka një total prej 84 për qind të energjisë që konsumohet nga konsumatorët finalë. Pjesa e tregut e tre furnizuesve më të mëdhenj ishte sa 93 për qind e energjisë totale që konsumohet nga konsumatorët finalë.

Lidhur me mënyrën sesi ka qenë ecuria e konsumit sipas llojit të konsumatorit, raporti vëren se në një pjesë të mirë të vendeve si Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Serbia, konsumi i familjarëve shkoi në rënie, kurse ai i jofamiljarëve, në rritje. Në anën tjetër në Kosovë ka funksionuar e kundërta, Në Shqipëri dhe në Moldavi, konsumi si i familjarëve edhe ai i jo familjarëve erdhi në rritje. / Burimi: Monitor.al

Pas