Bota

Liderët më të fuqishëm në botë mblidhen në Francë,çfarë pritet të vendosin


               Publikuar në : 13:02 - 24/08/19 |
el ida

Liderët e kombeve më të fuqishme në botë do të mblidhen ditën e sotme në jugperëndim të Francës në Samitin e G7, për të diskutuar ndër të tjera programin bërthamor të Iranit dhe mundësinë e rifutjes së Rusisë në këtë grup.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe kryeministri britanik Boris Johnson, janë në mesin e liderëve që pritet të marrin pjesë në samitin dy ditor, nën kujdesin e presidentit francez Emmanuel Macron.

Ndërkaq para nisjes nga Uashingtoni, Trump u tha gazetarëve se pret të ketë një diskutim shumë të dobishëm me anëtarët e tjerë të G7-ës, teksa bëri thirrje që Franca të tërhiqet nga plani për të vendosur taksa ndaj gjigantëve të teknologjisë në SHBA, si Google dhe Facebook.

Nga ana tjetër Macron tha se do të provojë të bindë Trumpin për të nënshkruar një dokument që siguron mbrojtjen e natyrës pas zjarrit të vazhdueshëm dhe shkatërrues në Amazonë.

Ekspertët thonë se të gjithë sytë do të jenë tek marrëdhënia e Trumpit me pjesën tjetër të grupit.

Uashingtoni ka bërë presion të vazhdueshëm ndaj Bashkimit Evropian , për të detyruar Teheranin të diskutojë për programin bërthamor. Trump po ashtu pritet të përballet me kundërshtime nëse vazhdon të insistojë se Moska duhet të rikthehet në grupin që më parë quhej G8.

Kujtojmë se Rusia ishte përjashtuar nga formati G8 pas aneksimit të Krimesë së Ukrainës në mars të vitit 2014./Opinion.al

Pas