InstaBIZ

Klaudia Pepa rrëfen përvojën si aktore: Nudo? Varet nga konteksti


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:04 - 17/10/21 |
Opi Nion

Në fillim ëndërrimtare, pastaj ambicioze, pastaj këmbëngulëse, pastaj drithëruese dhe në fund shpërthyese. Kur mendon atë, kësaj liste mund t’i shtosh edhe shumë cilësi të tjera që ia plotësojnë profilin, por një balerinë që kërcen drejt ëndrrës, më shumë se gjithçka tjetër, është as më pak e as më shumë veç një emër – Klaudia Pepa.

Prej vitesh e ka ndërtuar karrierën e saj në Itali, me prova e sprova të panumërta për të arritur ambiciet dhe për të realizuar ëndrrat. Me hapa të sigurt, me punë e përkushtim absolut, por edhe me këmbëngulje të jashtëzakonshme, Klaudia ka arritur të jetë pjesë jo vetëm e shumë projekteve në fushën e baletit krah emrave më të njohur në Itali, por njëkohësisht edhe ka mbajtur mbi supe një peshë të rëndë profesionale dhe personale – për të treguar nga vinte, kush ishte dhe ku donte të arrinte. Nga ana tjetër, jo e lehtë ka qenë dhe mbetet edhe ‘pesha’ e një kombi të tërë që të do më shumë kur arrin majat, sidomos jashtë Shqipërie.

Nga pista e kërcimit, Klaudia Pepa është transferuar në shesh xhirim, atje ku emocionet janë të tjera, me një dimension të ri më pak të njohur për artisten shqiptare. Megjithatë, edhe pse i ka hyrë një rruge në dukje të panjohur, Klaudia është shumë e lumtur që është bërë pjesë e kinemasë italiane. Jo vetëm për historinë e kësaj të fundit, por sidomos për shkollën që i ofron kujtdo që ka fatin të jetë pjesë e saj.

Kalimin nga pista e baletit në terrenin e kinemasë, Klaudia nuk e bëri rastësisht. Kushdo që e ka kuptuar sa këmbëngulëse është, e di mirë që balerina nuk e nis kurrë një rrugë pa e studiuar mirë. Kështu bëri edhe për filmin. Sapo mbylli një sërë projektesh me baletin, Klaudia nisi të studiojë për një tematikë të re: një film që në qendër të kishte baletin. Ky do të ishte roli i saj i jetës. Aktorja-balerinë apo balerina-aktore, tashmë kishte një objektiv të ri, për të cilin, rruga nuk ishte pa sfida, madje edhe më të mëdha.

E dyzuar, pothuaj gjithmonë në mes të rrugës Shqipëri – Itali, balerina e ëmbël është gjithmonë gati kur ka ftesa për të qenë në vendlindje. I mungon gjuha që nuk e flet çdo ditë, familja, miqtë e ngushtë e gjithçka origjinale shqiptare (edhe byrekët), edhe pse ka vite tashmë që jeton e punon në shtetin fqinj. Por e di mirë se artistët, më shumë se shtetas të një vendi, janë të lindur për të argëtuar e kënaqur çdo komb e për të bërë për vete çdo lloj publiku.

 

Aktualisht, aktore në një thriller ligjor “Reverse”, i cili ka në qendër një tematikë mjaft aktuale. Roli i Françeskës, një hacker që i vjen në ndihmë policisë, ka zbuluar te balerina jonë një botë të re, për të cilën ia vlen gjithmonë sakrifica – sado e kushtueshme të jetë. Sepse më shumë sesa ajo që duket jashtë, ne jemi të prirur të zbulojmë një karakter të ri duke dashuruar brendinë emocionale dhe shpirtin e madh të një artisteje si Klaudia.

Për këtë periudhë të gjatë të jetuar në shesh xhirim, në një kohë aspak të lehtë për të gjithë botën, në rrethana krejtësisht të jashtëzakonshme, për baletin, profesionin dhe pasionin e saj të madh, por edhe për disa gjëra të tjera të bukura, ca ëndrra romantike që ia kanë mbushur zemrën kohët e fundit, Klaudia Pepa vjen në një rrëfim ekskluziv në revistën Class.

Ç’të bëri të bësh një kalim kaq të madh, nga baleti në sheshin e xhirimit?

Ëndrra për të realizuar një film me tematikë baletin. Nisa të studioj për këtë qëllim.

“Reverse”, një thriller ligjor, që ka pjesë një sërë emrash të njohur të kinemasë italiane, si u bëre pjesë e tij?

Sigurisht, si çdo produksion që krijon audicionet për filma përkatës, edhe unë u kandidova për disa role me deshirën e mirë që të arrija të kisha disa eksperienca të vogla. Përgjigjen pozitive e mora pikërisht për filmin “Reverse” dhe për rolin e Françeskës.

Çfarë mund të gjejë Klaudia te Françeska, një ‘hacker’ që punon për policinë?

Kam zbuluar një botë krejtësisht të re me studimin e filmit dhe kinemasë. Se si bota jonë e brendshme dhe eksperienca jonë e jetuar sillet në set me role dhe karaktere të ndryshme personazhesh. Françeska punon për policinë dhe administron në film disa procese të teknologjisë dhe dëgjimit, ndërkohë që regjistrohet pyetësori mes vrasësit dhe Giulias, protagonistes në këtë rast.

Françeska është një personazh i ftohtë dhe unë nuk jam e tillë, por është shumë e vendosur dhe e përpiktë në punën e saj, gjë që e gjej edhe në veten time. Asnjë personazh nuk do jetë i njëjtë me ne, me karakterin tonë. Çdo herë ka një përshtatje. Çdo herë është një sfidë e re.

Çfarë vjen tjetër pas këtij projekti, do të vijosh me aktrimin?

Jam apasoniuar dhe kam gjetur shumë elementë të përbashkët me eksperiencën si balerinë dhe, me siguri, projekti që do të vijë do të jetë një gërshetim perfekt mes baletit dhe aktrimit.

Si është për ty të jesh protagoniste e klipeve, (“Voglio Stare Con Te” e Fabrizio Moro dhe “Loca” Aka7even)

Për mua mbeten ëndrra të realizuara. Do të shtoja edhe eksperiencën e videoklipit “Mon Amour” të Giulia ft. Samuel, gjithashtu edhe “Amante” të Getoar Selimit.

Unë jam shumë ëndërrimtare, kam lindur e tillë dhe besoj se ëndrrat më mbajnë gjallë gjatë gjithë kohës. Jam në dijeni që arti i baletit është i limituar në mundësi dhe moshë, por pasioni me mban zgjuar e më bën të provoj gjithmonë gjëra të reja sa të mundem.

Videoklipet dhe bashkëpunimet bëjnë pjesë në larminë e karrierës sime. Në dhjetor do të dalë projekti më i fundit, një bashkëpunim me një artist italian sa i vlerësuar, aq edhe shumë i diskutuar.

Cili është roli i ëndrrave, ai që do të doje të luaje në një film?

Me siguri roli i një balerine e më pas do ta zhvilloja me një “Lara Croft” :)

Edhe nëse do të propozonin të ishe pjesë e një filmi erotik apo të dilje nudo?

Nuk jam fanse e filmave të tillë dhe, me siguri, nuk besoj se do të jem pjesë në të ardhmen. Nudo, varet nga konteksti, por nuk kam komplekse.

Po projektet që të lidhin me Shqipërinë, kemi të reja në plan?

Jam në krijim të një projekti që ka në thelb baletin dhe kontaktin me njerëzit, është surprizë…

Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria?

Është e kuptueshme që, në radhë të parë, më mungon familja, më mungon të flas gjuhën time në përditshmëri.

Por nuk e mohoj faktin që më mungon shumë edhe byreku, hahaha.

Cila është oferta më joshëse që të është bërë në Shqipëri, por e ke refuzuar për të mos u kthyer?

Kam pasur shumë oferta për të qenë pjesë në jurinë e disa programeve televizive, por i kam refuzuar për faktin që nuk ndihem akoma gati për këtë rol. Me siguri në të ardhmen do jenë, pa dyshim, pjesë e eksperiencave të mia.

E mendon kthimin përfundimtar në Tiranë?

Ne artistët jemi qytetarë të botës dhe dëshirojmë të udhëtojmë me artin tonë sa më shumë të jetë e mundur.

Shqipëria ka vendin e parë në zemër dhe, pa dyshim, jam gati të bashkëpunoj apo të vij me projekte të ndryshme gjithmonë.

Cili është raporti yt me fansat që ke në rrjet, po me haters-at si e ke gjetur “gjuhën”?

Ka pasur disa momente të vështira ku kam qenë në qendër të vëmendjes për “haters-at”, vendosa të zgjidhja heshtjen me bindjen që koha shëron çdo gjë.

Për pjesën e fansave ndihem me shumë fat, sepse më mbrojnë kur është e nevojshme dhe janë gjithmonë aty për mua, më japin forcë dhe kurajë.

Ka pasur lajme për të reja nga jeta private, madje edhe tituj të tipit “Klaudia Pepa po jeton një romancë të bukur”, si është e vërteta e tyre?

Sigurisht që ka një histori, por preferoj të jetë private.

Ditëlindja e famshme e mbuluar e gjitha me trëndafila, kishte një personazh special pas saj (ai që i bënte fotot)?

Ishte një ëndërr romantike, diçka shumë e veçantë.

Si ia del me regjimin ushqimor, respekton një dietë rigoroze apo ushtrohesh për të qenë gjithmonë në formë?

Nuk kam mbajtur kurrë dietë, të them të drejtën. Preferoj të ushqehem shëndetshëm dhe të ushtrohem njëkohësisht. Do t’i bënte mirë kujtdo, mendoj.

Cili është sekreti yt për të qenë e lumtur?

Lumturia për mua është shpërndarje (sharing). Ndihem e lumtur kur shpërndaj përqafime, puthje, fjale të ëmbla, sjellje të mirë dhe pozitivitet.

Cili është pengu më i madh që të ka mbetur nga Shqipëria?

Të kërcej me motrën time. Pamela është këngëtare mezzo soprano dhe studion akoma në Universitetin e Arteve në Tiranë. Me shumë mundësi do të ndodhë në të ardhmen, është një nga ëndrrat e mia të përfshihem në një projekt me motrën time.

Një kërcim me Pamelën duket gjëja më e thjeshtë që mund të ndodhë në të ardhmen. Madje, as një Lara Croft nuk është e pamundur. Në sytë tanë, të paktën, por përtej këtij projekti që, me shumë siguri, do t’i bëjë bashkë shpejt motrat Pepa, fshihet një tjetër kërcim për Klaudian. Ai që e shoqëron gjithmonë sa herë prek suksesin. Ai që i kalon të gjitha zhanret e kërcimit e sfidon çdo padieshkë, që e ngre në qiell dhe e zbret sërish në tokë duke i kujtuar se atje lart mund të shkosh vetëm nëse këmbët i ke të ngulura fort poshtë.

Shhhhh, është surprizë një tjetër kërcim. Drejt ëndrrës më të madhe./Class

Pas