Aktualitet

Ja intervistat e Frangajt dhe Bushatit për Lagunën Blu


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 00:33 - 01/11/15 |
root

INTERVISTE ME ALEKSANDER FRANGAJ 

*Drejtuesi i Tv Klan Aleksandër Frangaj ka sqaruar për herë të parë në një intervistë për Opinion.al të gjitha pikëpyetjet dhe shpifjet, rreth çështjes së Lagunës Blu.

1. Ju jeni bërë ditët e fundit protagonist i një beteje mediatike që lidhet me Lagunën Blu. Pyetja e parë, pse nuk keni reaguar prej kaq ditësh dhe si qendron e vërteta?

– Kam refuzuar prej shumë vitesh të bie në lojën e pisët të shpifësve  profesionistë, prandaj dhe nuk kam reaguar ndaj kësaj histerie të organizuar nga kryeshpifesi historik dhe fotokopja e tij e gjysëm lapsit. Por, për të sqaruar ata që vërtet duan të dinë edhe të vërtetën time, po ju them që kjo është një histori aq banale sa edhe e turpshme për ata që më sulmojnë.
Prej shumë vitesh kam blerë tek kompania “Epidam” një investim në kompleksin e ngritur prej saj, ambientet sportive. Më pas, me daljen e ligjit që detyronte të blinin truallin të gjithë disponuesit e objekteve në fshatrat turistike, të cilët kishin ndërruar destinacionin e përdorimit nga resorte për zhvillim turizmi në shtëpi të dyta pranë detit, edhe une si gjithë banorët e tjerë kam blerë edhe tokën nga shteti, duke u bërë pronar i ligjshëm i investimit dhe i truallit.  Kjo procedurë ligjore është aplikuar nga të gjithë banorët e këtij kompleksi si dhe të pothuaj  të gjithë fshatrave turistike në të gjithë Shqipërinë.
Në vitin 2014, në përputhje me studimin urbanistik të Komunës Golem, kam aplikuar dhe kam marrë lejen për strukture individuale banimi 1 dhe 2 kate nga Kryetari i Komunës Golem. Pra, investimin ja kam blerë pronarit te ligjshëm ‘Epidam’ shpk, truallin ia kam blerë pronarit të ligjshëm -shtetit,  lejen e kam marrë pranë autoritetit të ligjshëm Komunë.

2. Sipas shtypit afati i lejes ka përfunduar, përse vazhdoni të ndërtoni?

– Eshtë shpifje e atyre që përmenda me lart. Afati i lejes së ndërtimit është deri më 31 shtator 2016.

3. Eshte shkruar që leja është marrë nga Mane TCI, por Mane është tërhequr pas takimit me banorët. A e ka bërë ai të pavlefshëm këtë leje?

– Eshtë e pasaktë. Leja është marrë në fillim nga Mane TCI, por me vendim të Kryetarit të Komunës Golem, date 02.06.2015 është miratuar ndryshimi i subjektit ndërtues tek shoqeria “Kupa” shpk.  Mane mund të jetë tërhequr nga ndertimi i vilës së vet, por kjo nuk ka lidhje me mua.  Jane 2 leje të veçanta dhe në pronësi të ndryshme.

4. A ka ndikuar kryeministri Rama ne kete leje ndertimi? A ka qene ai autori i saj?

– Jo. Leja është kompetence ligjore dhe kushtetuese e organit të qeverisjes vendore. Nuk ka patur nevoje të kërkoj ndihmen e Kryeministrit se gjithçka është me pikë e presje në përputhje me studimin urbanistik dhe të drejtën legjitime për të zhvilluar pronën në përputhje me kondicionet e parashikuara.  Gjithçka është e bazuar në ligj dhe e verifikueshme lehtësisht. Një leje nëse është e ligjshme apo e paligjshme nuk gjykohet me peticione apo me sulme në portale. Aq me pak keto i gjykon Kryeministri. Gjykimet i bën vetem Gjykata.

5. Po banorët që reagojnë dhe protestojnë?

– Disa nga banorët e fshatit mendojnë se janë pronarë të të gjithë
hapësirave që shohin me sy dhe si rrjedhim pretendojnë se ai investim dhe ajo tokë janë të tyret. Por asnjëri prej tyre nuk disponon asnjë të drejtë të ligjshme pasi pronar i një prone kudo në bote bëhesh kur ti e blen ate ose kur dikush ta dhuron atë. Nëse 1 person i vetem disponon me shkrim një kontratë që atë pronë ia ka shitur apo dhuruar ndërtuesi i tyre apo që të kenë paguar 1 euro për atë truall, une nuk shkel me jo në qerret por as në Kavajë. Nëse dikush pretendon se mund të bëhet pronar i një prone vetëm se mund të protestojnë në nëpër gazeta, apo se mund të firmosin peticione, mendoj se gabojnë. Kështu “komuniteti” mund të bëhej pronar i pronave të të tjerëve si askund në botë.
Pavaresisht se unë i kam blerë ato ambiente në përputhje të plotë ligjore tek pronaret e ligjshme të tyre, u kam deklaruar se 2 fusha sporti do t’ua sponsorizoj dhe do t’ua ndërtoj aty pranë jo sepse ju kam ndonjë borxh atyre që më janë qepur me shpifjet e tyre, por do ta bëj se e ndjej për detyrim përderisa i kam mundesitë t’ia kompensoj fëmijeve të komunitetit tokën ku do të ndertoj, me dy terrene sportive të reja. Për mosbesuesit, u kam ofruar që nëse duan ti ndërtojnë vete, të më japin numrin e llogarise së përbashket, dhe tu derdh të gjithë shumën e nevojshme që kushton ndërtimi i dy fushave. Por reagimi i disa banorëve të frymëzuar nga dyshja e shpifësve, ka qenë që nuk duam të na ndërtosh fusha, por duam që ti të mos ndërtosh. Dhe është qesharake sepse një pjesë e banorëve që protestojnë, përfshi avokatin e tyre, kanë ndërtuar ose janë shtuar pa leje ndërtimi. Dhe tani protestojnë për një ndërtim me leje. Kjo tregon qartë se këtu kemi të bëjme me një xhelozi ndaj meje që udhehiqet nga gjysëm lapsi Andi Bushati dhe modeli i tij Mero Baze të cilët siç e keni parë përpiqen ta kanalizojnë politikisht duke u përpjekur të bëjnë lidhje mes TV Klanit dhe Kryeministrit. Këta mjerane që kurrë nuk kanë mundur të ndërtojnë diçka të mirë as për shoqërinë e as për veten e tyre, funksionojnë mbi modelin e gjobëvënies ndaj politikanëve, biznesmenëve apo figurave publike. Këta “parimore” që fusha kërkojnë por fusha nuk duan, zhgarravisin dhe i bëjnë presion Kryeministrit të pengojë mua që të ndërtoj në pronen time dhe me leje të rregullt, ndërkohë që më parë e kanë sulmuar po këtë Kryeministër apo dhe Kryeministrin e mëparshëm pse ata pengojnë qytetarët të ndërtojnë me leje të rregullta. Ata s’pushojnë ditë-natë se kërcënuari Edi Ramën që ai të përdore pushtetin e tij për të bllokuar Frangajn. Dhe i kërkojnë Kryeministrit të shkelë ligjin për të bllokuar Frangajn në këmbim të mbeshtetjes, në të kundërt betohen se do të jenë  kundërshtarë. Ata harrojnë se edhe nëse e  bindin Kryeministrin të shkelë ligjin kundër meje, ka edhe prokurori, ka edhe gjykatë. Edhe në mos ka sot, do të ketë një ditë. Pronen time nuk e prekin dot!
Këta gjobvënës, që nuk mbajnë as kapuçë të zinj në kokë, por me gjysma lapsash e tema të dala boje, mendojne se mund të më kompleksojnë me shpifjet e trillimet e tyre, por gabohen. I kam mundur dhe do ti mund si tash 25 vjet, se kudo ku kam punuar kam krijuar një ndërmarrje të sukseshme. Kam bërë gazetën më të madhe në Shqipëri, kam bërë revisten më të madhe në Shqiperi dhe kam bërë televizionin më të madh në Shqipëri e ndër shqiptare.
Temat dhe gjysëm lapsat mbahen mend vetëm si sharës dhe si deshtakë kudo ku kanë punuar dhe çfarëdo që kanë bërë.
Unë mund të kem 100 të zeza, mund të kem mbajtur qëndrime të drejta apo të gabuara ndër vite, por gjithmonë ka qenë bindja ime në vendimet e mia.  Asnjëherë dhe askush nuk mund të thotë që kam mbështetur apo kam sulmuar dikë për ti vënë gjobë siç po bëjnë rektori i shpifjes dhe fotokopja e tij gjysëm lapsi i vogel. Mero Baze u prish me Kryeministrin Sali Berisha se ky i fundit nuk lejoi që ti vihej gjoba 16 milionë dollarëshe televizionit Top Channel, dhe ka vënë bast se do të prishet edhe me Kryeministrin Rama nëse nuk i prish vilën Sandrit të televizionit Klan. Nga kjo rracë vetëm këto pret, po shyqyr që janë pak dhe dhëmbët e tyre mund të kafshojnë, vetëm ndonjë tregtar apo koncensionar ilaçesh apo spitalesh.

INTERVISTE ME ANDI BUSHATIN

*I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i gazetarit Andi Bushati, ku thotë se kjo zonë është zaptuar në mënyrë të paligjshme nga z. Frangaj.

  1. Ju po reagoni per nje ndertim ne kompleksin Laguna Blu. Sipas ndertuesit Aleksander Frangaj ndertimi eshte ne toke private dhe me leje te rregullt. Perse nuk i ndiqni ligjerisht pretendimet tuaja?

 

Kjo është një pyetje e bërë si nga një gjysëm Sandër. Pse? Sepse problemi këtu nuk është thjeshtë ligjor. Unë e di që ushtari bandit i Berishës, ai që i vinte gjoba jo vetëm bizneseve, por edhe ministrave, duke shpikur reklamë shtetërore me miliona euro, mund  të kopsiste ligjërisht cdo letër. Me letra në këtë vend edhe Meta me Dritan Priftin janë të pafajshëm, edhe në Gërdec nuk ka vrarë njeri, sepse u konsiderua një aksident teknologjik, edhe në 21 janar nuk ka vrarë njeri, se nuk ka më filmime nga serverat  prandaj edhe gjykatat që ka korruptuar Sandri mund të nënshkruajnë cdo vendim. E megjithatë, një pjesë të asaj toke edhe Aluizni i kohës së Berishës (mendoni po flas për një kërkesë në kohë të Berishës) nuk pranoi ta legalizojë aq shumë shkelje kishte. Prandaj po them se kjo nuk është pyetja e saktë dhe Frangaj nuk mund ta përdorë OPINION-in për të servirur gjysëm të vërteta.

Këtu një vërejtje e kam edhe për ju. Nuk ka media në botë, që i jep fjalën të akuzuarit (në këtë rast Sandrit), pa përmendur më parë akuzën. Kjo nuk është gazetari. Ashtu sikurse nuk është gazetari që kur një koleg quhet gjobëvënës, të mos këtë kundërpyetje, se ku i ka faktet akuzuesi. Ky është shërbim i turpshëm ndaj një padroni që mediat i trajton si malok dhe vartësit si plebej. Ndaj dhe OPINION.Al nuk e ka nisur mirë startin e tij me intervista ku Frangaj bën dhe pyetjet dhe përgjigjet.

 

  1. Kjo pjese eshte blere nga Frangaj 10 vjet me pare. Perse kjo pjese nuk u ble nga komuniteti. Sipas ligjit pjesa qe nuk blijet nga banoret jepet per kompensim. Po ta blinin pronaret ata do ishin bashkepronare.

 

Blend, të thashë edhe njëherë që nuk i hyj detajeve. Një pjesë e komunitetit po i mbedh ato. Ata do të ndjekin rrugën ligjore. Por unë jam kundër ankimimit në gjykatë. Vetë s’do të bëhem pjesë e këtij procesi. E di që banditët në sallat e gjyqësorit fitojnë gjithnjë. Unë e di që Frangaj do ta ndërtojë pallatin e tij. E di që ai ka shtetin, gjykatat, kryeministrin aktual që trajton njësoj si në kohën kur e nxori cullak në ekranin e tij, pra e di që në këtë regjim hajdutësh, ai do të fitojë njësoj si në kohën e Berishës. Prandaj nuk të përgjigjem për këtë. Është një teatër i panevojshëm. Por, dua që të përgjigjem për atë që Frangaj thotë në intervistën e tij.

Ai thotë se ne jemi xhelozë ndaj tij. I pyeta Blend shumë nga banorët të cilëvë Sandri u drejtohej me fjalët “të dashur xhelozë”. E di c’më thanë? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeriu të diplomuar si zyrtar vatre kulture në komunizëm? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që për të dalë nga burgu i Berishës, shiti shokun e tij të bashkakuzuar? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që i rrëmbeu 40% të pronës së falur Nikollë Lesit, aq sa ky i fundit e krahasoi me hajdutin brazilian Zhoze, që i vodhi paratë në Rio Dezhanero? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që vjedh troje natën, duke spostuar sëbashku me Palin, portën e fushës së futbollit, ku më pas ndërtoi pallat? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që që bëhet pronar i TV Klan, sikur investitorët kryesorw mos kishin ekzistuar kurrë (pas ardhjes së Berishës në pushtet)? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që në 21 janar prodhoi atë videon, sikur protestuesit ishin vrarë nga turma. Jo Blendi jo. Shumica e njerëzve normalë e përcmojnë këtë njeri. U ngjall krupën. Dhe në ditët e tyre më të këqia urojnë jo vetëm që mos e kenë pranë, por që fëmijët që po rrisin ta kenë si kundërshembull.

 

  1. Ju jeni kunder ndertimit apo kunder prishjes se fushave? Frangaj eshte shprehur qe do ndertoje dy fusha te reja.

Në tokën e Edi Ramës është ky që do bëjë si të dojë? A ka kuptim kjo? Ku do i ndërtojë? Ku e ka lejen? Pse i shkallmoi ekzistueset pa filluar të rejat? Pse e shembi derën me fadroma. Pse angazhoi badigardët e 21 janarit për të hyrë me dhunë. Një pyetje e tillë ngjan me dilemat e Zhvejkut. Ajo as meriton përgjigje.

 

  1. Ju jeni kunder nje ndertimi me leje nderkohe qe Frangaj ka thene sot qe shumica e shtepive atje kane bere shtesa ose ndertime pa leje. Madje shumica e atyre qe protestojne. 

Ju mos vini dorën në zjarr për atë leje. Sa për vazhdimin e pyetjes: po mund të ketë shtesa pa leje. Por nuk duhet të ngatërrojmë dy gjëra: qytetarët që bëjnë faj dhe të tilla tek Laguna Blu mund të ketë, dhe një bandit që përdor pushtetin e Berishës dhe të Ramës, gjykatat dhe komunën, të fortët dhe fadromat, paratë e grabitura publike dhe ndonjë ministër që e trajton si zar. Midis tyre ka një hendek gjigant: është hendeku midis një mafiozi që kap shtetin dhe një kundravajtësi të thjeshtë. Besoj e kuptoni diferencën. Është thelbësore Blendi.

 

Por meqë ti nuk ma bëre këtë pyetje doja ti përgjigjem edhe një akuze që më bënte Frangaj. Ai thoshte duke mu adresuar edhe mua: “Këta mjerane që kurrë nuk kanë mundur të ndërtojnë diçka të mirë as për shoqërinë e as për veten e tyre, funksionojnë mbi modelin e gjobëvënies ndaj politikanëve, biznesmenëve apo figurave publike”.  Dua ta sqaroj se unë nuk jam akuzuar ndonjëherë për zhdukjen e gjyqtarit Konomi. Se nuk jam akuzuar ndonjëheri që ndonjë kryeministër të mi ketë sjellë paratë me qese në zyrë. Se nuk jam akuzuar ndonjëherë se i kam zbuar nga puna gazetarët e plagosur në demonstrata, vetëm se dëmtohej Berisha. Se nuk i kam rrëmbyer askujt pronën dhe të mburrem pas kësaj se të zotin e lë të vjellë ullijtë e ish tokës së tij. Se nuk e kam shantazhuar ndonjëherë kreun e opozitës se po fole për pronën time në plazh, unë do të nxjerr pronat e tua dhe të kunatit tënd. Se nuk e kam trajtuar Ramën në opozitë si “B..q” dhe Lulin e tanishëm si një “B..q” më të madh akoma. Këta janë pra gjobëvënësit Fevzi që unë dhe ti i njohim mirë.

 

  1. Perse ju i kerkoni Rames te nderhyje kur ligjerisht nuk e ka nje tager te tille?

Prapë një pyetje pa vend. Jo jo unë Ramës nuk i kërkoj më të ndërhyjë. Nuk mund ti kërkosh një pengu të dënojë pengmarrësin e vet. Rama e ka bërë dillin. Ai do të fusë në thundër një media që është e gatshme të shërbejë dhe këtë e ka arritur. Nuk e godet kot TV Klan, Metën dhe Bashën. Pakti është bërë, i keni parë kronikat e Klan. Dhe ata po shërbejnë si monedhë shkëmbimi për dicka më shumë se një kopërsht buzë detit.

Unë tek Rama kam ndërhyrë atëhere kur kisha ende një shpresë minimale se do ruante bregdetin, dhe do priste lidhjet me banditët e kohës së Saliut. Atëherë ai më tha personalisht, në sy të mikut tonë Baton Haxhiu,  se ishte skandal të ndërtohej në atë vend. Se do të burgoste cdo njeri që guxonte të jepte leje në një vend të tillë. Tani kur ai ka filluar shllafarinë e vet, as ja kërkojë më. Tani ai është i kapur. I është ngjitur Sandrit si M…pas këpuce.

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas