Aktualitet

Buxheti 2022, Bardhi: PD voton kundër, nuk ka rritje reale pagash


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 10:42 - 16/11/21 |
Opi Nion

Deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi tha se PD do të votojë kundër buxhetit të vitit 2022 pasi për selinë blu ky buxhet nuk ofron rritje reale të pagave dhe pensioneve.

Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi theksoi se ky buxhet nuk hap vende të reja pune, po pasuron edhe më shumë një grup klientësh pranë qeverisë. Po ashtu ai theksoi se me këtë paketë fiskale por goditet shtresa e mesme.

Më tej, Bardhi u ndal edhe te koncesionet, të cilat i cilësoi si të shpikura për të zhvatur para, pa asnjë vlerë për ekonominë.

“24 orët e fundit në këtë parlament është folur shumë për efektet që do të kenë në ekonominë e familjeve tuaja vendimet e qeverisë me paketën fiskale dhe buxhetin e vitit të ardhshëm. Nuk kemi pse ngatërrohemi me shumë shifra. Nuk ka nevojë për të qenë ekonomist për të kuptuar, nëse një paketë fiskale apo një buxhet është i mirë apo i keq për njerëzit.

Të dashur qytetarë! Shikoni në raftet e ushqimeve në shtëpinë tuaj! Shikoni në frigoriferin tuaj! Nëse keni më shumë, atëherë kjo qeveri ka bërë një punë të mirë. Por nëse keni më pak ushqime, nëse me të njëjtën shumë lekësh blini më pak gjëra dhe rroga juaj nuk ka ndryshuar, atëherë punët janë keq!

Nuk ka asnjë dyshim se jemi në skenarin e dytë! Çmimet janë rritur, njerëzit konsumojnë më pak! Është e qartë se punët janë keq dhe do të shkojnë akoma më keq për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, sepse as buxheti, as ligjet e taksave nuk punojnë për ta, por për një grusht njerëzish pranë kryeministrit. Punojnë për një grusht njerëzish që ndajnë paratë tona me ministrat dhe drejtorët e qeverisë së Edi Ramës.

Qeveria do të rrisë taksat dhe përmes tyre, do të rrisë çmimet për shqiptarët për të paguar koncesionet e reja dhe të vjetra, që nuk prodhojnë vende pune, nuk prodhojnë zhvillim.

Është një qeveri që thyen rekorde, kur vjen fjala për të zhvatur dhe plaçkitur njerëzit. Nga njëra anë ka parashikuar që të marrë vitin e ardhshëm rreth 1 miliardë usd borxh, nga ana tjetër nuk ka rritje reale rrogash, pensionesh, nuk ka vende të reja pune, nuk ka investime domethënëse. Merr 1 miliard euro të tjera borxh për të paguar koncesionet.

Për vitin e ardhshëm ka përfshirë në buxhet pagesa për 7 koncesione të reja, përveç atyre ekzistuese. Të 7 koncesionet, nga më të çuditshmit që keni dëgjuar mdonjëherë, do t’u kushtojnë shqiptarëve 2 miliardë dollarë. Të gjithë janë qepur dhe bërë gati për klientët e Edi Ramës. Koncesioni i Milot-Fier është pazari më fitimprurës me 1.5 miliardë usd. Koncesioni që mbikqyr si bëhet kolaudimi i makinave nga qeveria me 170 milionë euro ka mbrapa një klient të qeverisë, përmdryshe nuk do të ishte shpikur. Me borxhin e marrë vendoset për koncesionin e çuditshëm për sigurinë rrugore apo koncesionin delikat për sigurinë në rrjet për çelësat publikë.

Edhe lulishtet dhe fasadat e disa pallateve në Elbasan do të jepen me koncesion. Pasi e rrënuan qytetin dhe qarkun e Elbasanit, pasi nuk bënë asnjë investim për të qenë, sot do të japin me koncesion barin dhe bojrat e qytetit.

Koncesionet e shpikura për të zhvatur para, pa asnjë vlerë për ekonominë, janë tregues se në thelbin e krizës në Shqipëri qendron korrupsioni dhe paaftësia e kësaj qeverie!

Për të paguar këto koncesione, vitin e ardhshëm do të dalin nga buxheti 113 milionë euro. Sa para dalin për rritjen e pensioneve dhe të pagave të gati 1 milionë shqiptarëve? Rreth 50 milionë dollarë. 25 për të ashtuquajturin rritje pensioni, 25 milionë usd për gjoja rritjen  e pagave. Diferemca është e qartë dhe e dhimbshme. Për një grusht njerëzish mbi 100 milionë euro, për 1 milionë shqiptarë jep euro 50 milionë euro. Një fond qesharak, sepse në të vërtetë, nuk ka rritje reale pagash e pensionesh. Ka  vetëm indeksim të inflacionit, për të mos thënë që ka ulje, po të llogarisim rritjen e inflacionit dhe të çmimeve. Rritja është më pak se 10 mijë lekë të vjetra në muaj për mësuesit, për mjekët dhe infermierët. Më pak se 3 mijë lekë të vjetra në muaj për pensionistët. Një tallje e dhimbshme! Dhe kjo ndodh, sepse Edi Rama nuk i ka shqiptarët në librin e llogarive të qeverisë.

Kjo është një paketë fiskale që thellon padrejtësisht hendekun e tmerrshëm mes një pakice që qeveria e pasuron pa konkurencë të ndershme dhe shumicës së shqiptarëve.

Kjo është një paketë fiskale kundër shtresës së mesme. Në të gjithë botën, qeveritë e qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë krijojnë lehtësi për shtresën e mesme, por kjo nuk ndodh me qeverinë e Edi Ramës, sepse ne nuk kemi një qeveri të dalë nga një proces demokratik zgjedhjesh!

40% e të punësuarve në Shqipëri nuk do të kenë asnjë lehtësim nga taksat. Janë ata më të arsimuarit, që gjykojmë dhe veprojmë në mënyrë të pavarur nga qeveria, janë profesionistë që paguhen nga 500 mijë deri në 1 milionë lekë e gjysëm në muaj. Për qeverinë e Edi Ramës këta nuk ekzistojnë, sepse përgjithësisht këta nuk e votojnë.

Edhe kur Edi Rama flet për zerimin e taksës për pagat 400 mijë lekë, apo për lehtësim të atyre deri në 500 mijë lekë në mauj, në të vërtetë nuk bën asnjë lehtësim! Me njërën dorë jep pak dhe me tjetrën merr shumë, sepse për vitin e ardhshëm kjo qeveri propozon rritjen e taksave për gazin. Për çdo litër gaz do të paguajmë 650 lekë më shumë taksë. Kjo do të rëndojë më shumë ata me pension dhe me pagë të ulët, që gatuajnë dhe ngrohen me gaz. Në fund të muajit do të dalin me minus, sepse nga 1 janari, për shkak të këtij vendimi që Edi Rama po merr sot, fatura e gazit vetëm për gatim dhe ngrohje, pa llogaritur përdorimin e makinave, do të jetë 15 mijë-20 mijë lekë më e shtrenjtë.

Kurrë më parë njerëzit nuk kanë paguar kaq shumë për të blerë kaq pak. Kjo është pasojë direkte e keqqeverisjes, e vjedhjes, e zhvatjes. Prandaj Partia Demokratike do të votojë kundër paketës fiskale të Edi Ramës, kundër buxhetit të oligarkëve dhe klientëve të Edi Ramës!

Kjo nuk është një votë kundër e opozitës thjesht për të votuar kundër qeverisë! Është votë kundër marrjes peng të vendit për interesin e pak njerëzve, që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, duke zhvatur shqiptarët.

Kjo është një votë kundër borxhit stratosferik që nuk është përdorur nga ky kryeministër për të hapur vende të reja pune, nuk është përdorur për të mundësuar arsim më cilësor, nuk është përdorur për një sistem më të mirë shëndetësor.

Kjo qeveri ka marrë borxh si askush tjetër më parë. 3 vitet e fundit, 3 miliardë dollarë borxh, por nuk ka bërë asgjë që u vlen shqiptarëve. Është qeveria më pa vizion dhe më pa ambicie për zhvillimin që ka patur Shqipëria në këto 30 vitet e fundit”, tha Bardhi./Opinion.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Pas