Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po synon të vendosë kontroll mbi aktivitetin e qytetarëve në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë si një tjetër hap drejt censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se kryeministri Edi Rama ka urdhëruar institucionet ligjzbatuese dhe shërbimet informative të monitorojnë aktivitetin digjital të protestuesve dhe qytetarëve, jo vetëm për komentet kundër qeverisë, por edhe për vlerësimet negative ndaj bizneseve që ai i konsideron pranë pushtetit.
“I tmerruar nga uragani i protestës rinore e qytetare, i damkosur brenda dhe jashtë vendit, Edi Rama urdhëroi së fundmi narkopolicinë e tij dhe shërbimin informativ të policojnë veprimtarinë digjitale dhe rrjetet sociale të protestuesve, në fakt të mbarë qytetarëve. Kësaj radhe, kjo nuk po bëhet vetëm për sulmet e tyre ndaj Edi Ramës për të cilat ai është betuar si hakmarrës primitiv se “ata që më vijnë mbrapa, do të më kenë prapa”, por edhe për përshtypjet dhe komentet negative ndaj bizneseve të afërta me qeverinë. Partia Demokratike konsideron të pacënueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur përshtypjen e tij për çdo shërbim privat apo publik që merr dhe, në këtë kuadër, për klientin që ka marrë shërbimin nuk mund të ketë asnjë kufizim. Sikurse, PD konsideron të pacënueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe opinionin e tij në rrjetet sociale për çdo gjë dhe për cilindo“, tha Berisha.
“Natyrisht, Partia Demokratike nuk pajtohet kurrë me përshtypje të rreme nga llogari false për shërbime që nuk janë marrë kurrë, të cilat synojnë të dëmtojnë konkurrencën e ndershme. Por, Partia Demokratike shpreh dyshimet e saj më serioze se këto përshtypje false negative janë akte të organizuara nga patronazhistët e qeverisë së tyre në funksion të qëllimeve të zeza represive censuriale të saja”, vijoi ai.














