Kryesore

Basha: Jemi gati për reformën zgjedhore, 3 kërkesat tona


               Publikuar në : 12:43 - 14/01/20 |
Geljano Fataj

Opozita jo parlamentare është gati për të diskutuar për reformën zgjedhore. Kreu i PD-së, Lulzim Basha pas takimit me aleatët e tij tha se për këtë reformë zgjedhore ka mungesë vullneti nga qeveria.

E për ta bërë më konkrete këtë ai tha se opozita mandaton dy përfaqësues për të diskutuar për reformën zgjedhore. Ata janë Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

“Kanë kaluar 4 muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga ana e Partisë Socialiste”, tha Basha.

Sipas tij pikat kyçe të propozimit të opozitës janë tre: “Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike. Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive. Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike“.

Basha tha se përfundimi i reformës zgjedhore, një kusht i vendosur edhe nga Bundestagu gjerman, duhet përfunduar sa më parë. “Ajo i hap rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që janë kyçe për zgjidhjen e krizës politike”, u shpreh kryedemokrati.

Sa i përket ndryshimit të sistemit, pavarësisht se zoti Basha tha se janë të hapur për diskutime, duket qartë se opozita nuk e do një gjë të tillë. Sipas Bashës, faji nuk është i sistemit, por blerja e votës dhe përfshirja e njerëzve të krimit në politikë./ Opinion.al

Pas